Tirana merr 3 kartonë të kuq, Dinamo, 3 pikë
Leonard KarajTirana e mbyll ndeshjen me tetë lojtarë ndërsa Dinamo arrin të kthejë gjithçka duke marrë tri pikë në derbin e kryeqytetit.Vendi: stadiumi “Qemal Stafa”. Ora 18:00. Protagonist: arbitri Bardhyl Pashaj. “Xhaketa e zezë” nxori katër herë kartonin e kuq në derbin e kryeqytetit, tre herë për bardheblutë dhe një herë për blutë e çim Muçës. Në fund Dinamo, kryesuese e kampionatit vazhdon galopimin e saj drejt titullit duke mundur as më pak dhe as më shumë se kampionen në fuqi, Tiranën e Alban Tafajt. Një gol me penallti në fundin e pjesës së parë nga Gjergji Muzaka për Tiranën u shfuqizuan në pjesën e dytë nga dy gola të Dinamos me autorë, Lukas Malakarne dhe Elis Bakaj. Me këtë rezultat Tirana “dorëzon” praktikisht armët (por jo teorikisht), për titullin. Por për tu theksuar ka qenë fakti se skuadra bardheblu ka luajtur për pjesën më të madhe të kohës me 10 lojtarë dhe për më shumë se 30 minuta edhe me 9 lojtarë. Si fillim doli me karton të kuq mbrojtësi, Ditmar Bicaj, për një faull në dëm të sulmuesit dinamovit Elis Bakaj, teksa ky i fundit po shkonte drejt portës së Nallbanit. Si futbollist i fundit arbitri Pashaj nxori direkt karton të kuq. Por edhe më një lojtar më pak Tirana sulmoi vazhdimisht derisa arriti te penalltia që u shndërrua në gol nga Muzaka. Një avantazh i merituar, të paktën për fraksionin e parë të lojës për Tiranën, teksa Dinamo ka qenë shuma larg ditëve të saj më të mira. Po në pjesën e dytë do të ishte vetë Tirana, ajo që do ti “dhuronte” barazimin dhe më pas fitoren Dinamos. Në fillim një “çmenduri” e Blendi Nallbanit la bardheblutë me 9 lojtarë. Një ndërhyrje e parregullt e tij ndaj Sozës do të bënte që arbitri kryesor të nxirrte për herë të dytë kartonin e kuq për Tiranën. Gardiani i bardhebluve kërcënon e godet me kokë anësorin madje dhe ka ofenduar lojtarët dhe tifozët e Dinamos kur është larguar nga fusha. Katër minuta më vonë Dinamo barazon me anë të Malakarne dhe dy minuta nga koha e rregullt Bakaj kalon në avantazh blutë e kryeqytetit. Në fund ka kohë edhe për dy kartonë të kuq, për Mukën e Bakajn pas një sherri mes njëri-tjetrin.