Mbrëmja e bamirësisë, 1,5 milionë lekë për Shkodrën
Plot 1.500.000 lekë të reja u mblodhën në një mbrëmje bamirësie në mbështetje të familjeve të dëmtuara nga përmbytjet në zonën e Shkodrës. “Tinguj për solidaritetin” titullohej koncerti, i cili u zhvillua mbrëmjen e së dielës në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës së Baletit, mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Fondacionin “Fëmijët Shqiptarë. Ministra, ambasadorë, përfaqësues të biznesit e gazetarë, nuk u kursyen për të ndihmuar banorët e Shkodrës. Ata u treguan të gatshëm të paguanin një biletë, e cila nuk kushtonte si përherë, por plot 10 mijë lekë të reja. Por gjithsesi qëllimi dhe niveli i koncertit e justifikonin çmimin. Në këtë mbrëmje të madhe muzikore interpretuan solistët e TKOB, si Ylber Gjini, Marjana Leka e Eva Golemi, Armaldo Kllogjeri, Sidrit Bejleri, Vikena Kamenica, Sonila Baboçi, Manjola Konjari, Dorina Selimaj, Eriona Gjyzeli, Shpresa Beka, Armando Likaj, Emiljana Palushaj, të shoqëruar nga Orkestras Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën drejtimin e mjeshtrit Gianluca Martinenghi. Në vazhdën e solidaritetit, i cili ka përfshirë edhe institucione të tjera kulturore, TKOB, organizoi një mbrëmje koncertore, nën kujdesin e veçantë të znj. Liri Berisha dhe ministrit të TKRS-së, Ferdinand Xhaferraj. Programi përfshinte ariet më të bukura të repertorit klasik shqiptar dhe atij botëror, të zgjedhura me një kujdes të veçantë, duke iu përshtatur ndjeshmërisë së kësaj inisiative. Mes tyre mund të veçojmë Uverturën e operës “Goca e Kaçanikut” e kompozitorit kosovar Akademikut Rauf Dhomi, e cila përcjell një mesazh bashkimi, kompozitori çesk Zadeja, një nga shkodranët më të shquar, e njëkohësisht një nga përfaqësuesit më të njohur të muzikës serioze shqiptare ishte i pranishëm në këtë mbrëmje me “Arien e Katrinës” mbi subjektin e shkrimtarit Ismail Kadare, bazuar në problematikën e së kaluarës në këto zona. Një tjetër vepër shqiptare ishte “Borana” e Avni Mulës. Për të vijuar me dy duete simbolizuese “Në ajrin e pastër të kësaj mbrëmje” nga “Dasma e Figaros” dhe “Atje do të japim dorën” nga “Don Giovanni” të Wolfgang Amadeus Mozart. Nuk munguan edhe ariet e shkëputura nga operat “Flauti magjik”, “Andrea Chenier”, “Manon Lescaut”, “Carmen”, “Rigoleto”, “La Rondine”, etj. Kjo formulë e menduar me kujdes, ku niveli artistik gërshetohej me misionin fisnik, tërhoqi vëmendjen e një publiku të gjerë, që mbushi sallën e Teatrit Kombëtar të Operës së Baletit, në një ditë të ftohtë janari. Këtë e tregoi edhe shuma e parave të mbledhura nga shitja e biletave të koncertit. Shuma e mbledhur ishte 1.500.000 lekë të reja dhe shkoi e gjitha në ndihmë të banorëve të Shkodrës. Esmeralda Dodaj