Libri dhe Autori
Lichtenberg: Libri është si një pasqyrë, nëse aty brenda shihet një majmun, ajo padyshim nuk mund të japë shëmbëlltyrën e një apostulli. Kur një libër përplaset pas koke dhe kumbon si në boshllëk, a e ka fajin gjithmonë libri?
Goethe: Ka libra ku merr vesh gjithë ç' thuhet dhe, në fund, nuk mund të kuptosh thelbin e çështjes. Arti është si natyra, me të fshehta, por më të kuptueshme, sepse ai buron nga mendja. Botës nuk mund t'i shmangesh më mirë se përmes artit, por dhe nuk mund t'i bashkohesh asaj më mirë se përmes artit. Publiku duhet të trajtohet si një mendje gruaje: atij nuk duhet t'i thuash çka nuk dëshiron të dëgjojë. Letërsia prishet në një farë mase, kur edhe njerëzit prishen. Një autor, që i ngjan një enciklopedie, nuk vlen për asgjë.
Heinrich Heine: Një libër ka nevojë për kohën e tij, si dhe fëmija. Librat e shkruar shpejt e në pak javë, më detyrojnë të paragjykoj shkruesit e tyre. Një nënë nuk e sjell dot fëmijën në jetë para nëntë muajsh.
Fridrich Hebel: Çdo shkrimtar titullar duhet ta lexosh patjetër një herë, që të bësh të mundur leximin e tij të mëvonshëm. Një çudi është më e lehtë të përsëritet, sesa të shpjegohet. Kështu vijon artisti aktin e krijimit në kuptimin më të epërm, pa mundur ta shpjegojë atë. Arti është vetëdija e njerëzimit.
Eschenbach: Artistët zakonisht kanë mendimin tonë, të cilin ne e kemi nga veprat e tyre. Artisti nuk duhet të bëhet merak nëse do të bëhet e njohur vepra e tij, por a e meriton ajo njohjen. Karakteri i artistit e ushqen ose e mpak talentin e tij. Në një libër të mirë gjen më shumë të vërteta, sesa ka menduar shkrimtari i tij. Autorët, që vidhen, nuk duhet të ankohen për këtë, përkundrazi duhet të gëzohen. Pylli, ku s'ndodh asnjë mëkat, nuk ka vlerë.
George Kaiser: Ata, që njohin panikun më të thellë, janë artistët e mëdhenj. Të jesh poet, do të thotë: Të jesh njeri dhe të përcjellësh nga vetja.
Karl Kraus: Arti ta bën jetën rrëmujë. Të gjithë shkrimtarët duhen lexuar dy herë, të mirët dhe të këqijtë. Të parët për t'i njohur, të dytët për t'i demaskuar.
Përktheu Anrila Spahija
26 Maj 2008