Nishani, vendorëve: “Merrni masa kundër zjarreve”
SARANDË - Kur sapo ka nisur rritja e temperaturave në të gjithë vendin, ministri i Brendshëm ka kërkuar nga të zgjedhurit vendor që të marrin masa për parandalimin e zjarreve gjatë verës. Kjo deklaratë vjen pikërisht kur një vit më parë u dogjën me mijëra hektarë pyje dhe kullota në të gjithë Shqipërinë si pasojë e zjarr-vënieve dhe vapës së madhe. Nishani zhvilloi dje në Sarandë një takim me drejtues të pushtetit vendor në rajonin jugor. Ai kërkoi nga drejtuesit e pushtetit vendor të marrin urgjentisht masat për të parandaluar zjarret në pyje dhe kullota. "Shumë shpejt pushteti vendor do të administrojë pyjet dhe kullotat. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur shumë probleme përsa i përket vatrave të zjarrit", nënvizoi Nishani. "Gjatë këtij viti Qeveria shqiptare ka kontraktuar me sipërmarrës të huaj për të siguruar mjete logjistike sidomos për shuarjen e zjarrit nga ajri", tha ministri Nishani. Ministri i Brendshëm vuri në dukje se nga një kontroll i kryer nga dikasteri që ai drejton në disa komuna apo bashki janë konstatuar shkelje të rënda ligjore përsa i përket procesit të transferimit të pronave. Në takim ishin të pranishëm edhe prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera, nënprefektja e Sarandës, Elsa Gjini, si dhe drejtues të institucioneve rajonale.
26 Maj 2008