Vlorë, PD-ja merr qarkun, firo votash nga e majta
Ndryshojnë raportet politike në Këshillin e Qarkut të Vlorës. Nga 59 anëtarë që janë pjesë e Këshillit, 37 prej tyre votuan për kandidatin e Partisë Demokratike, Anesti Dhimojani
VLORË Partia Demokratike ka fituar dje kryesimin e qarkut Vlorë. Nga 59 anëtarë që janë pjesë e Këshillit të Qarkut të Vlorës, 37 prej tyre ia besuan drejtimin e tij kandidatit të Partisë Demokratike, Anesti Dhimojani. Ky i fundit u zgjodh përballë kandidates “Aleanca për të Ardhmen”, Brunilda Mersini, e cila në fund të votimit arriti të merrte vetëm 22 vota. Rezultati që ka përmbysur raportet në këshill është brohoritur nga përfaqësuesit e djathtë, ndërsa mbledhja ka pasur interesimin e deputetëve të të dy kaheve. Edhe pse pas zgjedhjeve të 8 Majit pati një ndarje mandatesh 36 me 23, në favor të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, dje nën tensionin që u ndie mes përfaqësuesve të të dy kaheve, raportet ndryshuan jo pak në favor të mazhorancës. Mbledhja e parë e këshillit të qarkut është drejtuar nga kryebashkiaku Shpëtim Gjika, i cili nuk ka lejuar të ndërhyjë edhe zv.ministrin e Brendshëm, Ferdinand Pone, që merrte pjesë gjatë takimit bashkë me deputetin e PD-së për qarkun e Vlorës, Astrit Patozi. “Këtu drejtoj unë”- i është përgjigjur Gjika, tentativës së zv.ministrit për të sqaruar një procedurë. Kryebashkiaku i Vlorës ka kërkuar gjithashtu ndryshimin e fletëve të votimit, të cilat ishin përgatitur më parë nga përfaqësues të së djathtës, duke kërkuar që të evitohej çdo manipulim i mundshëm dhe votimi të ishte i lirë e i fshehtë. Më pas, procesi i votimit ka ecur i qetë, ndërsa numërimi i votave është përcjellë me heshtje të plotë. Në fund të votimit rezultuan 37 vota në favor të Dhimojanit dhe 22 vota për Brunilda Mersinin, kandidaten e propozuar nga PS-ja. Me rezultatin e djeshëm koalicioni “Aleanca për Qytetarin” çon në 10 numrin e qarqeve që drejtohen nga përfaqësuesit e mazhorancës, nga 12 qarqe që ka gjithsej vendi.