E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si përgjoheshin "Beatles"

Sa fitonin, si i shpenzonin lekët dhe
për çfarë bisedonin, madje edhe
shijet e tyre seksuale. Nga doku
mentet e pabotuara të gjetura në
arkivat londineze zbulohet se, duke nisur
nga turi amerikan i vitit 1964, spiunazhi
britanik kontrollonte dhe ndiqte hap pas
hapi jetën e djemve të grupit "Beatles".
Plot tetë vjet vëzhgim, nga arrestimi i
Xhon Lenonit e deri te shkrirja e grupit në
vitin 1970. Ishte shkurti i vitit 1964 kur
"Beatles" pushtuan Amerikën. Këndonin
nga Nju Jorku në Uashington, jepnin koncerte
në "Ed Sullivan Show", një sukses
botëror për katër djemtë nga Liverpuli. Që
nga ato ditë, jeta e tyre do të ndryshonte
përgjithmonë. Do të ndryshonte fama,
pasuria, si dhe do të kishin miliona fansa
të çmendur në të gjithë botën. Në dimrin
e thuajse gjysmë shekulli më parë, Xhon,
Pol, Xhorxh dhe Ringo nisën të tërhiqnin
vëmendjen e shumë njerëzve që donin të
dinin gjithçka për ta. Ndiqnin çdo lëvizje
të baronetëve, kontrollonin bizneset e
tyre, madje "fusnin hundët" edhe në çështjet
më intime. Mes tyre kishte diplomatë,
të cilët nga ambasadat e shpërndara në
çdo cep të kontinentit informonin për çdo
gjë në Londër, apo policë që grumbullonin
të dhëna për t‘i futur në raporte e dokumente
të rezervuara. Nga ana tjetër
kishte funksionarë të Ministrisë së Thesarit,
që llogarisnin dhe verifikonin se sa
ishin fitimet e tyre, deri në qindarkën e
fundit. E kështu, emrat e "Fab Four"
shfaqen në dosjet e Bankës së Anglisë, në
kartelat e "Foreign Office", apo skedarët e
"New Scotland Yard". Një dokumentacion
i pabotuar mbi "Beatles", që ruhet mes
rafteve të "National Archives" në "Kew
Gardens", në hyrje të Londrës. Brenda tyre
gjen shumë gjurmë mbi tetë vitet kur shkëlqeu
grupi i famshëm, kur shëtisnin
nëpër botë e monitoroheshin ditë pas dite,
orë pas ore. Raporte dhe informacione të
klasifikuara që tregojnë për ta dhe njerëzit
që i rrethonin. Megjithatë, nga dokumentet
angleze nuk duket asnjë gjurmë
për ndjekjet që shërbimet sekrete amerikane,
si CIA dhe FBI, nisën ndaj Xhon Lenonit,
kur në vitin 1969 muzikanti filloi
betejat e tij për paqe dhe kundër luftës në
Vietnam. Në dosjet londineze gjendet
edhe historia e një skupi fals gjatë
udhëtimit të tyre të parë në SHBA; po ashtu
edhe prapaskena e turneut të tyre në
vitin 1966 në Japoni, ku i kërcënonin se do
i vrisnin; dëshmitë e tratativave në vitin
1967 për blerjen e një ishulli në Egje; si dhe
dokumentet mbi arrestimin për drogë të
Xhon Lenonit dhe ankesa për një ekspozitë
me piktura erotike për nder të Joko
Onos në vitin 1970. Në "Kew Gardens"
gjendet edhe akti final i aventurës së tyre
të jashtëzakonshme dhe shkresat që Pol
MekKartnei kishte ngritur ndaj tre ishshokëve
pas ndarjes së grupit në fillim të
vitit 1971. I gjithë ky material është marrë
javët e fundit nga kërkuesi Mario J. Çergino
dhe po studiohet me kujdes për të
nxjerrë në pah të tjera sekrete. Kapitulli i
parë i atyre dosjeve gjigande ndërton
edhe një herë ngjarjen e ndodhur
mbrëmjen e 11 shkurtit të vitit 1964, në
ambasadën angleze në Uashington,
menjëherë pas koncertit të "Beatles" në
kryeqytetin amerikan. Për këtë flet edhe
dokumenti i "Foreign Office", numër 366/
3429 i 20 shkurtit të atij viti, ditën kur deputeti
i Uestminster, Kuenel, pyeti ministrin
e Punëve të Jashtme nëse kishte
ndërmend të përpilonte ndonjë deklaratë
zyrtare mbi aksidentin që u kishte
ndodhur disa të rinjve të një grupi muzikor
të njohur si "Beatles". Gjithçka nisi me
një artikull të "Daily Express", që tregonte
se në festën e bërë nga ambasadori David
Ormsbi-Gore, katër pjesëtarët e grupit u
trajtuan keq nga shërbimet e sigurisë.
Lajmi që duket paska qesharak, në të
vërtetë përbënte një "rast" të veçantë. Por
çfarë ndodhi vërtet atë mbrëmje në ambasadën
angleze? Në morinë e njerëzve që
rrethonin ndërtesën, një vajzë 18-vjeçare,
e quajtur Beverli Markovic, i preu me gërshërë
një grusht flokësh njërit prej
pjesëtarëve të grupit, dhe pikërisht Ringos.
Ky sulm u bë menjëherë objekt i një
raporti që u nis shumë shpejt drejt Londrës
nga funksionari Xhon Killik. Gjatë
atyre orëve u përhap me shpejtësi edhe
lajmi se ajo që kishte marrë flokët e bateristit
të "Beatles"-ave kishte qenë gruaja e
një diplomati anglez. Më 21 shkurt ministri
i Punëve të Jashtme iu përgjigj pyetjes
së bërë nga Kuenel: "Hipoteza se ‘Beatles‘
u trajtuan keq është absolutisht e pabazë.
Në ‘Kew Gardens‘ është edhe prova e
asaj që pohon ministri: një letër e menaxherit
të kuartetit, Brian Epstein, që falënderon
ambasadorin në Uashington për
mbrëmjen e mrekullueshme". "Beatles"-
at u larguan nga Amerika dhe gjithmonë e
më të famshëm nisën të qarkullonin në
Evropë dhe Azi. Ishte vera e vitit 1966 kur
zbarkuan në Japoni. Qëndrimi i tyre në
Tokio zgjati nga 29 gushti deri më 3 korrik.
Edhe këtu shërbimet sekrete nuk iu
ndanë për asnjë moment: njerëz të ambasadës
dhe spiunë. Bollëku dhe popullariteti
i jashtëzakonshëm i shqetësonte
pushtetarët. Një i ngarkuar anglez me
këtë punë postoi në Londër një raport që
ruhet në arkiva me titullin "Beatles në
Tokio". Në të shkruhej: "Problemi i vetëm
është siguria. ‘Beatles‘-at duhej të mbroheshin
nga fansat. Por më të rrezikshmit
kanë qenë kundërshtarët fanatikë të
grupit dhe gjithçka që ka lidhje me ta. Me
pak fjalë, armiq që i kanë kërcënuar me
vdekje". Më pas vijon: "Operacioni i përgatitur
nga policia japoneze ka qenë i
barabartë me atë të Lojërave Olimpike të
vitit 1964: rreth 35 mijë policë dhe një kosto
e përgjithshme rreth 30 mijë sterlina".
Pastaj, në fund e mbyll raportin me fjalinë:
"Fatkeqësisht, ne të ambasadës nuk
patëm kënaqësinë që të takonim ‘Beatles‘-
at. I vënë në siklet, menaxheri i tyre,
Epstein, më shpjegoi se pas eksperiencës
së Uashingtonit djemtë vendosën që të
mos marrin më pjesë në pritjet e organizuara
nga ambasada". "Beatles" u kthyen
në Evropë dhe pas suksesit të jashtëzakonshëm
në të gjithë botën të albumit
"Sgt. Pepper‘s", në verën e vitit 1967 shkuan
me pushime në Greqi. Por, para se të
largoheshin u takuan me avokatët e tyre,
për të nisur procedurat mbi blerjen e një
ishulli në Egje, me një vlerë rreth 120 mijë
sterlina. I gjithë operacioni duhet të qëndronte
i fshehur. Në një dokument të Departamentit
të Thesarit, avokatët e Lenonit,
MekKartneit, Herisonit dhe Starit
paraqisnin kërkesat e klientëve të tyre, ku
shkruanin se "‘Beatles‘ kanë nevojë për
një vend për të pushuar dhe bërë muzikë.
Duhet ta kuptoni se duke qenë të famshëm
në nivel ndërkombëtar, për ta është
thuajse e pamundur të gjejnë një vend në
botë larg turmave të fansave dhe
gazetarëve". Këto shkresa nga ministria iu
drejtuan Bankës së Anglisë. Letërkëmbimi
vazhdoi për disa javë rresht, por në
fillim të vjeshtës një funksionar u komunikoi
superiorëve të tij "se ‘Beatles‘ hoqën
dorë nga projekti, sepse patën vështirësi
ligjore dhe shuma e kërkuar për blerjen e
ishullit ishte rritur". Një vit më vonë, Xhon
Lenon dhe Joko Ono do të dilnin për herë
të parë në kronikat e gjyqësorit. Ishte 18
tetori i vitit 1968 kur policia angleze bëri
kontroll në apartamentin tyre londinez në
"Montague Square" Nr.34 dhe i arrestoi
për përdorim dhe mbajtje të substancave
të ndaluara, si kanabis". Më 1 nëntor, deputeti
Artur Levsi kërkon një seancë parlamentare,
nëse "policia e ka paralajmëruar
shtypin mbi përpjekjen për të dhunuar
rezidencën private të Xhon Lenonit". Dyshimi
është i madh. Dikush në Angli dëshiron
të kërcënojë një nga artistët më popullorë
dhe rebelë të atyre viteve të trazuara.
Në dokumentin "Metropolitan Police/2/
7933" është përgjigjja e kreut të sektorit të
Antidrogës, Paul Davidson: "Vetëm në
orën 12:03 hymë në banesë. Nuk ishte i
pranishëm asnjë eksponent i shtypit.
Ndërkohë, një fqinj lajmëroi avokatin
David Xhekobs, që mbërriti në vendngjarje
në orën 12:35. Megjithatë, kur erdhën
qentë e Antidrogës fotografët ishin ende
aty. Policia doli bashkë me Lenonin dhe
Joko Onon në orën 13:00 dhe në orën 13:30
rreshteri Godard informoi zyrtarisht shtypin
për arrestimin e të dyve". Ylli i "Beatles"-
ve u paraqit në Gjykatën e Merilebonit
më 28 nëntor dhe u dënua që të
paguante një shumë prej 150 sterlinash.
Por për të telashet me drejtësinë nuk përfunduan
me aq. Policia dukej sikur donte
të ndërhynte gjithmonë kundër Lenonit.
Më 3 mars të vitit 1970, inspektori i policisë,
Frederik Luf, shkruan në një tjetër
raport atë çka ndodhi më 15 dhe 16 janar
në "London Arts Gallery", në rrugën "New
Bond". Po hetonte për "Ekspozitën e litografive
të Lenonit", pas një denoncimi të
bërë kundër pronarit të galerisë, amerikanit
Euxhene Ivan Shuster. Bëhej fjalë
për Xhorxh Uilliam Holms, një burrë i
datëlindjes 1906, pensionist, i cili pasditen
e 15 janarit kishte shkuar në komisariat
duke thënë: "Po kaloja përpara galerisë
dhe vura re që ishin ekspozuar punime të
Xhon Lenonit. Pashë disa litografi... U
tmerrova. Ishin karikatura që riprodhonin
raportet seksuale me natyrë neveritëse.
Sinqerisht më habiti fakti se një grua
mund të "riprodhohej" në pozicione të tilla.
Unë vetë u ndjeva i kontaminuar nga
ato që pashë. Nëse mendoj se nëna ime
apo gruaja ime mund të përfundonte në
atë gjendje mendore, pyes veten se ku ka
përfunduar mirësjellja njerëzore". Një
ditë më vonë policia e denoncoi për "turpësi"
pronarin e galerisë, duke urdhëruar
mbylljen dhe sekuestrimin e 8 litografive
me temë seksuale nga 14 që gjendeshin
në ekspozitë. Edhe veprat e sekuestruara
përmendeshin në raportin e "New Scotland
Yars" më 21 janar të vitit 1970. Sipas
asaj që shkruante inspektori Luf, litografitë
ilustronin raportin e Lenonit me
Joko Onon, martesën e tyre dhe aktivitetin
seksual. Më pas Luf shton të tjera detaje:
"Dizajnot përshkruanin veprimet e
mëposhtme seksuale të turpshme që
Xhon bënte me Jokon". Një dokument i
fundit i gjetur në "Kew Gardens" vjen nga
Gjykata e Lartë. Është procesi gjyqësor i
Pol MekKartnit kundër tre shokëve të
vjetër, pas shkrirjes së grupit. Këto dokumente
mbajnë datën 9 gusht 1972 dhe
tregojnë për të drejtat që Poli, Xhorxhi dhe
Ringo kishin marrë për pjesët e kompozuara
nga Poli. Mes tyre shumë numra,
llogari, bilance, fitimet marramendëse të
djemve nga Liverpuli, pjesëtarë të grupit
më të madh të të gjitha kohërave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›