Shkurti rrit eksportet me 13.1 për qind
Eksportet shqiptare kanë pësuar rritje në muajin shkurt të këtij viti. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se eksportet kanë pësuar rritje të ndjeshme krahasuar me muajin janar të këtij viti. Sipas INSTAT, në muajin shkurt të vitit 2009 u eksportuan 7.511 milionë lekë mallra, me rritje 13.1 për qind në krahasim me muajin janar të 2009-s dhe ulje me 14.9 për qind në krahasim me muajin shkurt 2008. Kriza globale dha efektin e saj, duke ulur nivelin e eksporteve përgjatë vitit 2008, por në muajin e parë të vitit. Ndërkaq, muaji shkurt tregon një përmirësim në këta tregues, pasi eksportet janë rritur me 13.1 për qind. U importuan 33.389 milionë lekë mallra me rritje 19.9 për qind në krahasim me muajin janar 2009 dhe rritje 1.2 për qind në krahasim me muajin shkurt 2008. Deficiti tregtar i këtij muaji është 25.878 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 22.1 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 7.1 për qind krahasuar me muajin respektiv të vitit 2008. Tregtia me vendet e Bashkimit Evropian zuri 67.4 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë, eksporti është 65.3 për qind dhe importi 25.6 për qind, kurse me Greqinë, eksporti është 9.7 për qind dhe importi 16.3 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë: për eksportin, Greqi, Itali, Kinë, Spanjë, SHBA etj., dhe për importin, Austri, Greqi, Gjermani, Itali, Zvicër etj. Krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grup-mallrat tregon që: eksporti i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 2.6 herë, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 19.2 për qind, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u rrit 15.4 për qind, “Materiale ndërtimi dhe metale” u rrit 4.4 për qind etj.
Importi i grupit “Produkte kimike dhe plastike” u rrit 36.6 për qind, “Materiale ndërtimi dhe metale” u rrit 34.8 për qind, “Ushqime, pije, duhan” u rrit 22.3 për qind etj. Ndërsa importi i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u ul 1.3 për qind.
Në muajin shkurt 2009, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 3.046 milionë lekë, duke zënë 9.1 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me janarin e 2009-s, importi i mallrave me akcizë ka pasur rritje prej 1.9 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave e zënë nënproduktet e naftës (62.8 për qind).