E Diel, 1 Nëntor 2026

Pajisjet elektroshtëpiake do tregtohen me etiketa, Kuvendi kalon ligjin



Të gjithë tregtarët do të detyrohen të afishojnë parametrat e pajisjeve për përdorim shtëpiak në një vend të dukshëm, ku kryesori do të jetë konsumi i energjisë. Kuvendi miratoi të enjten në seancë plenare p/ligjin "Për treguesit e konsumit të energjisë dhe të burimeve të tjera, nga pajisjet për përdorim shtëpiak nëpërmjet etiketimit dhe informacionit standard të produkteve". Sipas hartuesve të p/ligjit, një informacion i saktë dhe i hollësishëm do të ndikojë drejtpërdrejt në zgjedhjen e konsumatorit për të blerë një pajisje elektroshtëpiake që konsumon më pak energji. Gjithashtu, synohet edhe tregtimi i mallrave sa më cilësorë. Nëse tregtari nuk afishon etiketën në gjuhën shqipe, atëherë në bazë të dispozitave ligjore gjobitet me 20-fishin e çmimit të mallit. Ligji zbatohet për tipet e pajisjeve për përdorim shtëpiak, edhe në rast se ato shiten për përdorim joshtëpiak si frigorifer, ngrirës dhe kombinimi i tyre; makinë larëse rrobash, makinë tharëse dhe kombinimi i tyre; makinë larëse enësh; furra; pajisje ngrohëse uji dhe pajisje mbajtëse uji të ngrohtë; mjete/pajisje ndriçimi; pajisje me ajër të kondicionuar. Ndërsa ligji nuk zbatohet për pajisjet shtëpiake të përdorura. Informacioni lidhur me konsumimin e energjisë elektrike sillet në vëmendje të konsumatorit nëpërmjet një skede informative dhe një etikete për pajisjen për përdorim shtëpiak, të ofruar për shitje, dhënie me qira, shitje me këste ose të ekspozuar për përdoruesin e fundit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›