E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngacmimi, sherr mes shqiptarëve dhe italianëve, pesë të plagosur



KUNEO - Tre italianë dhe dy shqiptarë të rinj në moshë kanë përfunduar të plagosur rëndë në spital pas një përleshjeje mes tyre në një lokal nate mbrëmjen e dy ditëve më parë. Ngjarja është bërë e ditur nga media italiane. Burime nga Policia italiane, të cituara nga media, kanë treguar se ngjarja e ka zanafillën te komplimentet që dy shqiptarët u bënë vajzave që shoqëronin tre të rinjtë italianë. Ata kishin dalë në mbrëmjen e djeshme me disa vajza në një klub nate ku ndodheshin edhe dy të rinjtë shqiptarë. Pas disa minutave, shqiptarët janë afruar dhe u kanë bërë disa komplimente vajzave që shoqëronin tre të rinjtë italianë. Kjo nuk është pritur mirë nga italianët që u kërkuan shqiptarëve të largoheshin pasi vajzat “ishin të zëna”. Pasi shqiptarët nuk kanë pranuar të tërhiqen mes dy palëve filloi një debat i ndezur. Policia tha se të rinjtë, të gjithë të moshës 19-23 vjeç, u përfshinë në një konflikt fizik, i cili u ndërpre pasi rojat e sigurisë së lokalit kanë ndërhyrë duke i nxjerrë të gjithë jashtë. Gjithçka duket se ishte ndarë në paqe, por ndërsa tre italianët po largoheshin bashkë me vajzat, pranë tyre ka ndaluar një makinë tip “Benz” në të cilën ndodheshin shqiptarët. Ata kanë dalë nga makina dhe kanë vazhduar sherrin me tre italianët duke e kthyer skenën e ngjarjes në një përleshje me shkopinj, gurë dhe sende të forta të rastit. Të gjithë personat e përfshirë në ngjarje përfunduan të plagosur. Disa banorë të zonës kanë lajmëruar policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes. Pas kontrollit mjekësor që iu bë të plagosurve të gjithë ata janë mbyllur në Burgun e Kuneo në pritje të vendimit të gjykatës, ku do të njihen me akuzat dhe me masën e sigurisë që do të vendoset ndaj tyre.

Sulmohet dhe rrihet pronari shqiptar i një lokali
PULIA - Sulmohet dhe rrihet një shqiptar në Itali. Nikolin Marku, 39 vjeç, pronar i një bari në Pulia, është sulmuar duke pësuar dëmtime të shumta. Policia italiane ka bërë të ditur se 39-vjeçari është sulmuar në momentin kur ka qenë vetëm në lokal dhe ishte duke bërë pastrimet. Policia tha se është duke hetuar në disa pista, si ajo e një tentative për grabitje apo sulm racist. Në dëshminë e tij shqiptari ka treguar se ishte duke pastruar kur në një moment është sulmuar nga persona që nuk i njihte. Menjëherë është njoftua policia dhe në vendngjarje kanë mbërritur patrullat e karabinierëve, të cilët kanë nisur hetimet. Por kur ata kanë mbërritur, agresorët ishin larguar me vrap. Ata nuk janë identifikuar ende, pasi dhe shqiptari nuk i ka njohur. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur ambulanca që e ka dërguar atë në spital dhe është duke u mbajtur nën vëzhgim. Mjekët kanë bërë të ditur se gjendja e tij, nuk shqetësuese.

I kërkuari kapet duke ngrënë pica

BERGAMO - Tradhtohet nga dëshira për të ngrënë pica, bie në pranga një shqiptar i kërkuar prej dy vitesh nga Policia italiane. Burime policore thanë se karabinierët e Bergamos kanë vënë në pranga një 41-vjeçar shqiptar me inicialet A. P., i cili ishte dënuar nga gjykata. Sipas të dhënave, ai lëvizte me dokumente të falsifikuara, por frekuentonte përgjithësisht piceritë e zonës së, Capriate shën Gervasio. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Leçes në vitin 2007 dhe e Bergamos një vit më vonë. Ai është kapur gjatë operacionit të koduar “Margarita”, në daljen e një lokali të qytetit dhe më pas është dërguar në qeli.

26 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›