E Shtunë, 31 Tetor 2026

Licensa e dyte paraqiten oferta per 3G

Kompanitë celulare kanë dhënë gjatë së hënës dy ofertat për licencën e dytë 3G. Në orën 10, Albanian Mobile Comunication dhe Eagle Mobile kanë dorëzuar në zarfe të mbyllura ofertat dhe dokumentacionin përkatës për të fituar të drejtën e shërbimit 3G.

Burime të "AS" në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare bënë me dije se ofertat janë pranuar si të vlefshme dhe se ishin të ndryshme nga njëra tjetra në vlerë. Kështu, AMC ka ofruar 15.1 milionë euro, ndërsa Eagle Mobile 12.9 milionë. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave po shqyrton me detaje ofertat dhe pritet që gjatë së martës ose së mërkurës të shpallë dhe fituesin.

Teknologjia 3G njihet ndryshe si gjenerata e tretë në telefoninë e lëvizshme dhe lejon transmetim më të shpejtë të të dhënave, telefoni nëpërmjet wireless-it, lundrim në internet dhe shërbime televizive, të gjitha nëpërmjet rrjetit të celularit. Aktualisht, ndër 4 kompani celulare në Shqipëri vetëm njëra ofron shërbime 3G.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›