Liçensa vetëm për taksitë e prodhuara pas ’90-ës
17/12/2004 Në Tiranë nuk do të qarkullojnë më taksi të prodhuara para viteve ’90-të dhe të gjithë taksistët që do të liçensohen do të jenë të detyruar të tregojnë datën e prodhimit të automjetit të tyre. Atë që nuk e bëri dot me ligj Ministria e Ambientit dhe Drejtoria e Tatimeve, duket se e ka vënë në zbatim Bashkia e Tiranës, e cila e ka patur shumë të thjeshtë të urdhërojë të gjithë shoferët e taksive të përdorin automjete bashkohorë. Gjatë vitit në vazhdim do të ketë preferencë në dhënien e liçensës, ato taksi që kanë kohë të shkurtër prodhimi, ndërkohë që të gjithë shoferët janë lajmëruar se nuk mund të vazhdojnë aktivitetin në rast se kanë makinë të prodhuar para ’90-ës. Aktualisht, në kryeqytet ushtrojnë aktivitetin rreth 400 taksi të liçensuara dhe numri i tyre është i kufizuar në varësi të numrit të banorëve. Vendosja e limitit të vitit të prodhimit, ka të bëjë me ruajtjen e cilësisë së ajrit dhe vjen në zbatim të strategjisë së Ministrisë së Ambientit për të hequr nga qarkullimi makina mbi dhjetë vjet të përdorura. Por, Parlamenti nuk e parë të arsyeshme të miratonte këtë ligj, duke i lejuar të hyjnë makina mbi dhjetë vjet të përdorura, por duke i taksuar më rëndë se gjithë të tjerat. Kështu, një makinë me naftë, e përdorur mbi dhjetë vjet, do të ketë një taksë importi në masën 1 milion lekë të vjetra, përveç doganës, çka do ta bëjë të kushtueshëm importin e tyre. Ndërkohë taksistët kanë filluar të reflektojnë vendimin e Bashkisë së Tiranës, duke nxjerrë në qarkullim taksi më luksoze. Sipas të dhënave, ka një rritje të kërkesës për liçensa taksi dhe tarifa zyrtare për marrjen e një liçense është 280 mijë lekë, ndërkohë që taksa për regjistrimin është 30 mijë lekë. B. K.