Topalli në Shëngjin, akuzon Ramën për 20 përqindëshin
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë një takimi me banorë të komunës së Shëngjinit, nuk ka harruar akuzat e saj ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Po të duash vendin je i motivuar dhe realizon çdo gjë, po të motivohesh vetëm nga 20 përqindëshi siç bën Kryetari i Bashkisë së Tiranës, natyrisht që asgjë nuk është e mundur. Dhe këtu janë dy botë që ndahen, dy filozofi që ndahen: puna, serioziteti, besimi, deklaroi ajo. Ndër të tjera gjatë fjalës së saj, Topalli theksoi se doktrina e re ekonomike transformoi Shqipërinë.
Është e paimagjinueshme janë para të nxjerra nga korrupsioni, para të marra me vullnet të fortë, nga këmbëngulje e një doktrine të re ekonomike të Sali Berishës që ka funksionuar më mirë se kudo tjetër. Një doktrinë ekonomike e bazuar në rritjen ekonomike, një rritje ekonomike që vetëm në vitin e kaluar shkoi në 8 për qind, një doktrinë ekonomike e bazuar në rritjen e rrogave, rritjen e pensioneve, uljen e taksave, një doktrinë ekonomike me një vizion të jashtëzakonshëm që 30 për qind e buxhetit të saj e kalon në infrastrukturë dhe ndërtim. Infrastrukturë do të thotë më shumë para, më shumë punësim, më shumë të ardhura për çdo familje, veçoi ajo. Në takimin e saj, kryetarja e Kuvendit vuri në dukje transformimet në këtë zonë, duke theksuar se gjatë dy viteve të fundit investimi ka kapur shifrën e rreth 11 milionë eurove. Paratë për investime janë para të ardhura nga doktrina e re ekonomike e rritjes së rrogave, rritjes së pensioneve, uljes së taksave, që ka bërë të ndryshojë jo vetëm Shëngjini, por e gjithë Shqipëria, nënvizoi kryetarja Topalli. Ajo vuri në dukje investimet e rëndësishme në këtë komunë si: rruga Shëngjin-Lezhë, një investim prej 2.1 milionë euro, ujësjellësi i Shëngjinit, me vlerë 3 milionë euro, rehabilitimi i kaskadës dhe derdhjes së lumit Drin, 1.6 milionë euro, rruga nga ishulli Lezhë drejt qytetit Lezhë, 700 mijë euro, sistemi biologjik i pastrimit të ujërave të zeza, 3.4 milionë euro e të tjera investime të mëdha. Kryetarja e Kuvendit është shprehur e bindur se në 4 vjeçarin e ardhshëm, do të ketë projekte të tjera të mëdha, projekte të zhvillimit ekonomik, të rritjes së mirëqenies të çdo qytetari, të çdo banori, në fshat, në komunë, në qytet, projekte të mëdha për studentët. Gjithashtu, gjatë fjalës së saj, Topalli ka përmendur edhe arritjet e Shqipërisë gjatë muajit prill, duke u ndaluar në dy momentet më të rëndësishme, duke i cilësuar si dy evenimentet më të mëdha historike: hyrja e Shqipërisë në NATO dhe dorëzimi i kërkesës për vendin kandidat në BE. Po ashtu, kryetarja Topalli ka shprehur optimizëm për zgjedhjet e 28 qershorit, ku ka veçuar faktin se ajo do të jetë një ditë feste, do të jetë një ditë e madhe.