Poni dhe kryebashkiaku i Durrësit, inspektojnë zyrat e aplikimit me karta
Zv.ministri i Punëve të Brendshme Ferdinand Poni dhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako kanë inspektuar zyrat e aplikimit të kartave të identitetit, që janë instaluar në pesë rajonet e qytetit. Poni dhe Dako janë njohur me ecurinë e aplikimit, ndërkohë që Poni ka kërkuar ritme më të shpejta në drejtim të kategorive, që përfitojnë karta me çmim 200 lekë, si paraplegjikët, personat me ndihmë ekonomike, invalidët etj.
Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako nga ana e tij i ka bërë thirrje qytetarëve të Durrësit, kryesisht atyre pa pasaportë, të aplikojnë për karta ndërsa nga ana tjetër u shpreh se këshilli bashkiak ka marrë vendimin për miratimin e fondit të veçantë për shtresat në ndihmë ekonomike, paraplegjikë, etj. Me këtë rast dua ti bëj një thirrje të gjithë qytetarëve, por veçanërisht atyre që janë pa pasaportë të bëjnë sa më parë aplikimin për marrjen e kartës së identitetit në mënyrë që ata të mos i shmangen procesit të votimit, i cili është një proces mjaft i rëndësishëm. Duke marrë kartën e identitetit këta qytetarë do të marrin përsipër përgjegjësinë e tyre ndaj qytetit dhe vendit përsa i përket procesit të votimit i cili është një proces mjaft i rëndësishëm dhe nuk duhet të qëndrojë askush indiferent për votën, veçoi ai. Këshilli bashkiak në bazë të vendimit të qeverisë e ka miratuar tashmë fondin për shtresat e qytetarëve që përfitojnë ndihmë ekonomike, tetraplegjikë, paraplegjikë, romë, egjiptianë etj në lidhje me pajisjen e këtyre shtresave me karta. Nga burime zyrtare bëhet e ditur se çdo ditë në qytetin e Durrësit aplikojnë mesatarisht 400 persona, ndërkohë që deri tani janë afërsisht 36 mijë aplikues dhe janë pajisur me karta 15 000 prej tyre.