E Diel, 1 Nëntor 2026

PBK miraton listën e kandidatëve në të gjithë vendin

Partia e Ballit Kombëtar gjatë mbledhjes së kryesisë ka miratuar listën e plotë të 140 kandidatëve në të gjithë vendin si dhe ngritjen e shtabeve elektorale në 12 qarqe. Gjatë përcaktimit të agjendës së fushatës, kryesia e PBK-së vendosi edhe sloganin që do të përdoret gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009: 70 vjet shërbim kombëtar, koha na dha të drejtë. Kryetari i kësaj partie, Adriatik Alimadhi tha se kjo forcë politike konsideron një vlerë kombëtare marrëdhëniet politike me Partinë Demokratike që në fillimet e proceseve demokratike dhe deri më sot. Sipas tij, PD e PBK përbëjnë boshtin e këtij grupimi shoqëror, që të gjithë shqiptarët duhet ta votojnë në zgjedhjet e 28 qershorit. PBK vlerëson si shumë të suksesshme dhe efiçente politikat me përmbajtje kombëtare në vitet e qeverisjes së vendit nga qeveria Berisha 2005-2009, si dhe realizimin e qëllimit historik të shqiptarëve anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe BE. PBK identifikon me anë të këtij slogani kontributin e saj 70 vjeçar në shërbim të çështjes kombëtare, veçoi ai. Ndër të tjera gjatë fjalës së tij në këtë mbledhje, Alimadhi ftoi shqiptarët të votojnë për këtë forcë politike, sepse sipas tij ajo që ka kërkuar Balli Kombëtar një Shqipëri të lirë, demokratike të pavarur, një Shqipëri drejt Perëndimit dhe integrimit, po zbatohet sot në politikën shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›