E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushohet punonjësja, nuk lëshoi certifikata të parregullta

16/06/2009  Denoncimi për drejtuesit vendorë nga Frida Zelko: Më bën presion me vendin e punës

DURRES- Është larguar nga puna punonjësja e gjendjes civile në Durrës Frida Zelko. Ka qenë vet punonjësja e zyrës së gjendjes civile në rajonin numër 4 të qytetit të Durrësit, e cila ka bërë denoncimin publik. Vendimi i largimit të saj nga puna ka firmën e kryetarit të bashkisë Vangjush Dako, ndërsa Zelko ka pohuar se vendimi nuk ka asnjë lloj motive. Pasi ka treguar se ka 15 vjet si punonjëse e gjendjes civile në këtë rajon, punonjësja ka dëshmuar edhe shkakun e kësaj historie, e cila është motivuar si hakmarrje e kundërligjshme.

Denoncimi

Sipas ish-punonjëses së larguar nga puna, Frida Zelko, e gjithë kjo histori ka nisur një javë më parë në kohën që kjo punonjëse ka kundërshtuar të lëshojë dy certifikata të parregullta. “Më datë 6 qershor 2009 në ora 21.15 në kohën që kam përfunduar punën në zyrë vinë dy persona, të cilët janë shprehur se ishin të dërguar nga kryetari i rajonit numër 5 Afrim Bakaj”,-është shprehur Zelko. Ajo ka bërë të qartë se personat e panjohur pasi e kanë pyetur nëse Zelko lëshonte certifikatë pa qenë personi i pranishëm, i kanë deklaruar se ishin autorizuar nga Bakaj për të marrë dy certifikata. “Jo, nuk jap të tilla certifikata, pasi shkelet ligji ,ka qenë përgjigjja ime”,-bën të ditur ish-punonjësja. Edhe pse ata i kanë ribërë të ditur se janë të dërguar nga Bakaj kjo punonjëse nuk është “bindur” të plotësojë kërkesën e tyre. Por pak minuta pas kësaj bisede Zelko shprehet se e ka telefonuar kryetari i rajonit të saj Luan Zeqo, i cili ka zëvendësuar pak muaj më parë të arrestuarin nga drejtësia ish-kryetarin e rajonit Luan Shaba. “Përse nuk zbatove urdhrin e Afrim Bakajt?”,-ka qenë pyetja e kryetarit Zeqo, i cili nuk është bindur edhe pse jam përpjekur të shpjegohem. Punonjësja ka deklaruar se eprori i saj e ka kërcënuar duke i thënë se problemi saj do të shihej shumë shpejt. Nuk ka vonuar dhe të hënën, në mëngjes në zyrën e gjendjes civile ka mbërritur edhe vendimi i kryetarit të bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Veprimi i Dakos është i njëjti dhe në të njëjtën klimë politike me atë të largimit vite më parë të drejtorit të gjendjeve civile në Durrës. Në kohën kur kandidonte për deputet Gjergj Koja, kryetari i bashkisë largoi nga puna drejtorin e gjendjeve civile Avdulla Duka. Drejtorit Duka nuk i është dhënë asnjë motivacion dhe atij i është afruar vendi i punës pas përfundimit të fushatës zgjedhore, ndërkohë që Duka e pati fituar të drejtën me vendim gjykate pavarësisht se nuk u kthye më asnjëherë atje. Frida Zelko ka bërë të ditur se do të apelojë në gjykatë vendimin e bashkisë që vjen pikërisht në kohën e pikut të fushatës elektorale duke përsëritur të njëjtin skenar si dhe vite më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›