E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita të angazhohet në reformën zgjedhore

27/04/2010 Ilir Rusmali

Kreu i delegacionit të Parlamentit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, deputeti demokrat Ilir Rusmali, ka thënë se deklarata e Byrosë së Këshillit të Europës është tregues i koherencës së plotë të qëndrimeve të mazhorancës në raport me situatën politike në vend. Sipas tij, deklarata është një thirrje shumë e rëndësishme që palët në Shqipëri t’i përkushtohen reformës zgjedhore, sepse ajo është prioritet dhe nuk mund të neglizhohet dot. Për Rusmalin opozita shkon në të kundërtën e rekomandimeve që vijnë nga faktori ndërkombëtar. “Me sa kuptoj unë, nga ana e opozitës tentohet vazhdimisht që të errësohet kjo thirrje shumë serioze dhe shumë e çiltër që vjen nga të gjithë komuniteti ndërkombëtar”, - tha Rusmali në një intervistë televizive. Deputeti i PD-së thekson se Asambleja e Këshillit të Europës përmes deklaratës së fundit ka sugjeruar që për gjithçka opozita t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. “Instrumentet ligjore që vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese zoti Rama i ka që të gjitha në dispozicion, nuk ka kush e pengon, në qoftë se ka vullnetin përveç vetes së vet. Veten e vet ai nuk e kontrollon dot, me sa duket, dhe prandaj nuk e ndërmerr hapin racional që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, - theksoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›