E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidershipi socialist shmang diskutimet per Nanon

Ngjarjet e 21 janarit 2011 dhe zgjedhja e Presidentit të Republikës kanë qenë temat e diskutimeve në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar socialist. Nënkryetari i grupit, Erjon Braçe ka kërkuar sqarime nga lidershipi socialist mbi këto dy momente delikate politike. Kryesocialisti, Edi Rama ka ripërsëritur qëndrimin zyrtar të socialistëve, se 21 konsiderohet një krim shtetëror. Ndërsa në lidhje me zgjedhjen e Presidentit, kryetari Rama, pa përmendur në asnjë moment emrin e Fatos Nanos, si kandidat për President, mësohet të jetë shprehur se rëndësi ka procesi dhe jo një emër konkret. Për Ramën, duhet që kreu i ardhshëm i shtetit të dalë nga një proces konsensusi me Partinë Demokartike.
Lidhur me zgjedhjen e kreut të shtetit kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, është shprehur në media se për opozitën parësore është gjetja e një konsensusi dhe jo të diskutohen emra të përvetshëm. Në lidhje me kandidaturën e Fatos Nanos, Ruçi tha se ai është i mirëpritur në selinë rozë për të shpalosur idetë e tij, por pa garantuar mbështetje për këtë kandidaturë.
“Dyert e Partisë Socialiste janë të hapura për të ardhur dhe për të shpalosur të gjitha ambiciet që ka çdo qytetar i majtë dhe i djathtë, jo më zoti Nano. Në momentin që do të kërkojë takim, dyert e PS dhe kryetari Rama janë në dispozicion të këtij takimi. Nuk mendoj se zoti Nano do të kërkojë vota sepse ai e di që votat në PS nuk i ka që ta bëjnë president. Ai do të kërkojë më shumë se çështje votash. Unë kur fola për zgjedhjen e një presidenti fola që ky president do të dalë si rezultat i një procesi të matur të pjekur të përgjegjshëm. Këtu nuk është puna për të siguruar disa firma. PS do të ketë një qëndrim politik, strategji dhe taktikë për çështjen e presidentit. Këto janë veprime personale të aktorëve dhe faktorëve individualë”, vuri në dukje, Ruçi.

Lidershipi i Partisë Socialiste, këmbëngul që për zgjedhjen e kreut të ardhshëm të shtetit, të zhvillohen kontakte dhe dialog me mazhorancën, në mënyrë që presidenti i ardhshëm të jetë i pranuar nga të gjithë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›