Edhe zjarrfikësit e Kalimashit në kërkime
Zhdukja e Bleonës ka sensibilizuar edhe zjarrfikësit e tunelit të Kalimashit. 20 efektivë të kualifikuar dhe të mirëpajisur të Stacionit të Zjarrfikësve në Kalimash kanë shkuar dje në Zapod në kërkim të vajzës së humbur. Fatmir Cengu, komandant i stacionit tha për gazetën “Shqip” se zjarrfikësit kishin kërkuar në terrenet më të vështira ku edhe vetë Policia e Shtetit nuk ka mundur të hyjë. “Nuk mund të rrinim indiferentë për Bleonën e vogël, kështu që me mirëkuptimin e gjithë efektivit një pjesë qëndruan në tunel me orar të zgjatur ndërsa 20 zjarrfikës i dërguam në ndihmë të policisë në Zapod”, tha ai duke uruar që vajza të ishte gjallë dhe t’i kthehej familjes. Zjarrfikësit e tunelit, të pajisur me mjete moderne të ngjitjes në shkëmbinj dhe zbritjes në humnera kanë kërkuar deri lart në bjeshkë deri te liqenet akullnajore, si dhe në rrëpira ku jetojnë vetëm dhitë e egra dhe shqiponjat e malit, ndonëse nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të vajzës.
#