E Diel, 1 Nëntor 2026

Furtunë shkarkimesh, Saranda mbetet pa inspektorat ndërtimor

Struktura Kreu i INUK shkarkon dy specialistë, ndërsa drejtori dhe juristi japin dorëheqjen

Ditë më parë kreu i Inspektoratit Ndërtimor dhe Urbanistik Kombëtar (INUK), Gjegji Bojaxhi, është shprehur i pakënaqur edhe nga puna e strukturave të tij vartëse që kanë vepruar jo mirë në Ksamil dhe në Sarandë. Ai i ka konsideruar këto struktura përgjegjëse për shkallën e lartë të informalitetit të ndërtimeve, që ka dalë e nevojshme të vihen nën goditjen e operacionit “Pastrimi i Rivierës 2010”. Ndërsa pasditen e djeshme është mësuar se në strukturën e inspektoratit ndërtimor dega Sarandë, ka ndodhur një shkrirje totale. Tre punonjës të këtij inspektorati ishin larguar nga detyra rreth dy muaj më parë, për mungesë angazhimi në zbatimin e detyrës. Mes tyre ka qenë inxhinieri Stavro Papa, por edhe dy të tjerë, kolegë të tij në degën e inspektoratit të Sarandës. Ndërsa dje struktura pothuaj ka pësuar një “shembje” totale, ashtu si objektet e jashtëligjshme që shemb fadroma në Ksamil. Në një komunikim telefonik kreu i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Bojaxhi, ka konfirmuar masat më të fundit ndëshkimore në këtë strukturë për mosveprim sipas ligjit. Shkarkimi i dy specialistëve të thjeshtë në këtë degë mësohet se është i lidhur me mospranimin e nënshkrimit prej tyre për shembjen e një objekti në qendër të Sarandës, për të cilin Bojaxhi u shpreh se “është objekt i krimit”.

Ndërkohë, mësohet se mbrëmë janë dorëhequr nga detyra drejtori i degës së inspektoratit ndërtimor të Sarandës, Edmond çipa, dhe juristi i saj, Lefter Karajani. Së bashku me Resul Piron dhe specialistë të larguar më parë nga kjo degë, i bie që ajo të jetë gdhirë sot një strukturë inekzistente, një degë me punonjës ose të shkarkuar ose të dorëhequr.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›