E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarrfikësi vdiq prej mjeteve primitive

Reparti nuk ka shkallë për t’u ngjitur në ndërtesa. Autoritetet justifikohen

Jeta e 46-vjeçarit Edmond Meçka që kishte plot 22 vjet punë si zjarrfikës, mund të shpëtohej nëse do të ekzistonte teknologjia e nevojshme për të tilla ndërhyrje. Mbrëmjen e së martës, ndërsa zjarrfikësi duhet të kishte dhënë ndihmën e parë në lartësi nëpërmjet një shkalle të specializuar për aksione të tilla, në ndihmë të tij ka qenë vetëm një litar.

Aksidenti

I hedhur nga kati i shtatë i një ndërtese banimi, litari që për shumë vjet është përdorur për raste të tilla ka arritur deri në afërsi të tokës. Duke u zvarritur përgjatë tij, Edmond Meçka ka mundur të përshkojë vetëm 10 m lartësi. Ndërsa ishte në fund të aksionit, duart e lodhura nga sforcimi i mbajtjes në litar e kanë tradhtuar dhe ai ka rënë mbi tarracën e një kabine elektrike. Të pyetur nga gazeta “Shqip” drejtuesit e prefekturës, repartit të mbrojtjes nga zjarri dhe të tjera autoritete të larta të Ministrisë së Brendshme kanë dhënë justifikime të ndryshme për mospërdorimin e shkallëve nga zjarrfikësit.

Autoritetet

Vasil Ndreko, sekretar i përgjithshëm i prefekturës tha për “Shqip” se investimet e munguara mund të shkaktojnë ngjarje të tilla tragjike. Ndërsa kreu i emergjencave civile në prefekturë, Viron Balla, ka pohuar se: “shkallët janë me defekt dhe ka kohë që nuk përdoren. Edhe aksione të tjera kanë kaluar vetëm më përdorimin e litarit”. Komandanti i zjarrfikësve në prefekturë, Izet Ymeraj, e ka shmangur përgjigjen duke thënë se: “nuk është momenti për një përgjigje”. Ndërsa kreu i repartit të zjarrfikëseve të Fierit, Xhevat Mërnica, tha se shkallët janë shmangur, sepse nuk mendohej se do të ndodhte një ngjarje e tillë. Këmbënguljes së gazetës për mungesën e investimeve për repartin e zjarrfikësve, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinad Poni, i është përgjigjur duke thënë se “investime ka pasur e do të ketë”. Por me i çuditshëm është fakti se Poni nuk ka qenë i informuar për rrethanat e ngjarjes, pasi ai shumë herë ka thënë se zjarrfikësi shpëtoi jetën e tre fëmijëve. Kjo deklaratë e Ponit hidhet poshtë nga vetë personi që ka kërkuar ndihmën e zjarrfikëses. Eleni Fejzo, gruaja që ka kërkuar ndihmën e zjarrfikëses ka pohuar se: “brava e derës së blinduar kishte çelës nga brenda. Nuk kisha askënd në shtëpi dhe për pasojë m’u bllokua dera dhe kërkova ndihmë”.

Investimet

Për t’i dhënë zgjidhje këtij ngërçi investimesh të munguara që po shkakton edhe viktima, sekretari i përgjithshëm i prefekturës, Vasil Ndreko, ka deklaruar se jo vetëm nga ky rast, por edhe më parë është parashikuar një numër i madh investimesh. Ndërkohë që në repartin e zjarrfikësve të Fierit, numërohen vetëm pesë automjete zjarrfikëse. Ato i përkasin një teknologjie të 40 viteve më parë dhe as pjesë këmbimi nuk po gjenden për riparimin e tyre.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›