Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Vlorës ndan 13 çmime
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Vlorës ka ndarë këto ditë 13 çmime për krijuesit, përkthyesit dhe studiuesit më të spikatur të këtij qyteti. Ceremonia e ndarjes së çmimeve, të cilat u sponsorizuan nga deputeti i zonës Bujar Leskaj, u zhvillua në njërën nga sallat e pallatit të kulturës “Labëria” në Vlorë. Siç bëjnë të ditur organizatorët, kjo veprimtari zhvillohet në prag të 96-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, por edhe në kujtim të veprës dhe figurës së shkrimtarit të njohur Petro Marko me rastin e 24 nëntorit, që është data e lindjes së tij. “Ky aktivitet që zhvillohet në shkallë qarku është i pari i këtij lloji. Falënderojmë deputetin e zonës, Bujar Leskaj, për sponsorizimin e 13 çmimeve. Në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe ndihmesën e krijuesve të qytetit, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Vlorës ngriti komisionet përkatëse në fushat e letërsisë, pikturës, muzikës dhe teatrit, duke vlerësuar krijimet më të mira të vitit”, –tha përfaqësuesi i LSHAV-së. Përsa u përket çmimeve të dhëna me këtë rast, ato fillojnë me çmimin “Nazmi Bunjaku”, për kontribut të vlefshëm në Teatrin e Vlorës, i cili iu dha aktorit Vaso Goda; çmimi “Vasil Talo”, për portretin më të mirë në pikturë, iu dha Edi Kojanit; çmimi “David Selenicasi”, për kompozimin më të mirë në pikturë, iu dha Ticiana Fejzullaut; çmimi “Sadik Kaceli”, për peizazhin më të mirë, iu dha Koço Zhezhës; çmimi “Themistokli Mone”, për kompozimin muzikor më të mirë, iu dha Viktor Rrapushit për këngën “Të lodrojë Prishtina, Vlora dhe Tirana”; çmimi “Eqrem Vlora”, për memorialin, punim bibliografik më të mirë, iu dha publicistit Gëzim Llojdia për librin “Amantia-një ndërtim ilir nga më të rrallët në Ballkan”; çmimi “Ferhat Çakërri”, për librin më të mirë për fëmijë, iu dha shkrimtarit Bardhosh Gaçe për vëllimin poetik “Pranvera i dërgon letër baba Dimrit”; çmimi “Janko Pali”, për përkthimin më të mirë në prozë, iu dha Liljana Zogës për përkthimin nga anglishtja të romanit “Stuhi dashurie” të Nicholas Sparks-it; çmimi “Kudret Kokoshi”, për përkthimin më të mirë në poezi, iu dha Laureta Petoshatit për përkthimin nga shqipja anglisht të “Soneteve” të Ali Asllanit; çmimi “Nermin Vlora Falaschi”, për publicistikën eseiste më të mirë, iu dha publicistit Shkëlqim Zotaj për sprovën “Tipologjia e lirikës së Ali Asllanit”; çmimi “Shevqet Musaraj”, për krijimin letrar satirik më të mirë, iu dha Astrit Hajdinit për librin “Një hënë mbi kokën time”; çmimi “Ali Asllani”, për poezinë më të mirë, iu dha Albert Abazit për vëllimin poetik “Mërgata e Luleve” dhe çmimi “Petro Marko”, për prozën më të mirë, që iu dha Çlirim Hoxhës për romanin “Nëndetësja e plagosur”.
26 Nentor 2008