E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidhja e gjatë përfundon në verë

Nga Express më 16 prill 2011 në ora 12:13

Trajneri Holger Stanislawski ka njoftuar se do të largohet nga St Pauli gjatë verës pas gati dy dekadave në klub. 41-vjeçari ka vendosur të largohet pas 18 viteve të shërbimit duke thënë se “është koha për ndryshime”. “Këto vitet e fundit kanë marrë shumë prej meje. Nuk ndihem sikur jam në gjendje t’i ndihmoj më këtij klubi”, tha ai gjatë një konference për shtyp.

Stanislawski nuk arriti të ndalë lotët derisa doli para medieve për të dhënë lajmin për ndërprerjen e bashkëpunimit 18-vjeçar.

Stanislawski së pari iu bashkua St Paulit më 1993, ndërsa zhvilloi 260 ndeshje për ta para se një lëndim ta detyrojë të pensionohet më 2004. Ai më pas mbajti pozita të ndryshme në klub, duke përfshirë nënkryetar, drejtor sportiv dhe nga 2006, trajner, duke i udhëhequr ata drejt promovimit në ligën e dytë në vitin e parë në detyrë e më pas i ktheu në Bundesligë.

St Pauli aktualisht gjendet në pozitën e parafundit në tabelë, pesë ndeshje para përfundimit të sezonit dhe synon t’i shmanget rënies së menjëhershme në divizionin e dytë. Klubi kishte theksuar se do ta mbajnë Stanislawskin edhe nëse bien nga liga elite. “Ata më kanë bërë ofertë të mirë, por doja të gjej një sfidë të re”, shpjegoi ‘Stani’. Drejtori sportiv, Helmut Schulte tha: “Është ditë e mërzitshme, sepse kemi humbur liderin tonë”. Stanislawski pritet që nga sezoni i ardhshëm të emërohet trajner i ri i rivalit nga Bundesliga, Hoffenheim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›