Shkarkimi s’është problem

Carlo Ancelotti ka thënë se “nuk do të jetë problem” nëse shkarkohet nga Chelsea në fund të sezonit. Ancelotti fitoi Premierligën dhe FA Cup në vitin e tij të parë në Angli, por skuadra londineze nuk ka gjasa të fitojë ndonjë titull këtë sezon, pas eliminimit nga Manchester Unitedi në çerekfinale të Ligës së Kampionëve këtë javë.
Pozita e tij është vënë në dyshim nga mediet dhe është e paqartë nëse do të mbetet në klub pas përfundimit të këtij sezoni.
“Nuk e di se cila është e ardhmja ime. Në fund të sezonit mendoj se klubi mund të vendosë nëse duan që unë të vazhdoj ose duan të ndryshojnë. Nëse nuk janë të lumtur, ata mund të ndryshojnë pa problem. Kjo nuk është problem për mua”, tha Ancelotti për ESPN.
Së fundi, kanë qarkulluar indikacione se Roman Abramovich konsideron të bëjë ndryshime të mëdha në ekip, pas dështimit të ri të Chelseas në Evropë, por Ancelotti mendon se skuadra dhe menaxhmenti duhet të presin.
“Nuk është koha për të gjetur fajtorë. Është koha të përqendrohemi në ndeshjen e ardhshme, të japim maksimumin dhe të shikojmë drejt përfundimit të sezonit. Në fund mund të vlerësojmë se çka ishte keq e çka ishte mirë. Të flasim tani rreth ndryshimeve që klubi dëshiron të bënë për sezonin e ardhshëm, rreth transferimeve të reja për të ardhmen, nuk është koha e duhur. Secili prej nesh duhet të mundohet të japë më të mirën për shtatë ndeshjet e fundit. Pas kësaj, në verë, ne mund të flasim, por tani nuk është koha e duhur”, shtoi ai.
Ancelotti erdhi në Chelsea pas një periudhe të gjatë në drejtim të Milanit, klub me të cilin fitoi dy tituj të Ligës së Kampionëve, trofe që ende mungon në kabinetin e Chelseas.
“Kam ardhur nga një shtet ku nuk mendojnë se vazhdimësia është gjë e mirë. Kam qëndruar tetë vjet në Milan. Ishte mirë. Gjëja më e rëndësishme për klubin, për menaxherin, është të kemi marrëdhënie të mira me klubin, me pronarin. Kur kjo marrëdhënie nuk është e mirë, ju duhet të ndryshoni. Deri më tani, marrëdhëniet me pronarin kanë qenë të shkëlqyeshme. Ai më ka përkrahur këtë sezon kur nuk arrinim rezultate të rëndësishme. Nëse, në fund të sezonit, pronari vendos se puna ime nuk ka qenë e mjaftueshme, kjo nuk është problem. Do të mundohem të bëjë më të mirën, sepse dua të mbetem këtu. Nëse ka mundësi ta bëjë këtë, do të isha i lumtur”, përfundoi ai. Ancelotti vazhdimisht është spekuluar me rikthim në Itali, në krye të Romës, pas kalimit të tetë viteve në klub si futbollist.