E Diel, 1 Nëntor 2026

Lidhja shpirtërore e munguar...

12/04/2005  Koncertet e Integrimit

Artistët tanë janë quajtur ambasadorët më të mirë të Shqipërisë. Ka ardhur koha që ky fakt jo vetëm të thuhet në aspektin simbolik, por të pranohet pa asnjë rezervë nga të gjithë, pasi janë ata që po i tregojnë botës vlerat dhe vitalitetin e kombit tonë. Eshtë ky një fakt që Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit e ka vlerësuar seriozisht, duke filluar serinë e shfaqjeve të titulluar "Koncertet e integrimit", me artistët shqiptarë që punojnë në vende të ndryshme, por edhe me kolegë të tyre nga vendet ku jetojnë

Para pak kohësh, Zhani Ciko, drejtori i TOKB-së, në një konferencë për shtyp, midis të tjerash ftoi të gjithë artistët shqiptarë që ndodhen jashtë vendit të kthehen në vendin e tyre për koncerte dhe veprimtari të ndryshme artistike, pasi institucioni që ai drejton është përherë i hapur për ta..., duke shtuar se, pavarësisht nga honoraret modeste, ata i detyrohen vendit të tyre, ku hodhën hapat e parë të karrierës së tyre artistike. Ajo që u tha si një ftesë, sot është një projekt konkret. Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka iniciuar një seri koncertesh me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme, por edhe me kolegë të tyre nga vendet respektive ku ata jetojnë, të konceptur si "Koncertet e integrimit". Eshtë një realitet i pamohueshëm që artistët tanë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ambasadorët më të mirë të kombit tonë në perëndim dhe jo vetëm, që me talentin, seriozitetin dhe ambicjen e tyre, i treguan të gjithëve se Shqipëria jo vetëm është pjesë përbërëse e Evropës, por aksidentalisht ndodhet ende larg saj zyrtarisht (ku, natyrisht kemi edhe ne vetë pjesën më të madhe të fajit, të paktën pas rënies së diktaturës). Nertila Kasmi, Jusuf Beshiri, Rudina Ciko, por edhe Paolo Cherici (Itali), Boris Kraljevic (Serbi), janë disa nga instrumentistët që do të marrin pjesë në këtë cikël koncertor. Kjo iniciativë synon të sjellë instrumentistët shqiptarë në skenën më të madhe të metropolit tonë, tashmë të integruar në aspektin personal me kolegët në vendet ku banojnë dhe me shoqëritë respektive. Sado që shumëkujt mund t'i duket e pabesueshme, artistët jetojnë me mallin për vendin dhe komunikimin me publikun e tyre të parë, që u dhuroi duartrokitje të pafund, duke u dhënë kurajon që të "shtegtojnë" atje larg, për të arritur atë që vendi i tyre nuk mundi t'u jepte. Eshtë një tentativë për t'i sjellë sërish në skenën ku ndjehen ngrohtë dhe të tregojnë imazhin që ata rrezatojnë edhe në skenat e mëdha evropiane, imazhin e vërtetë të një kombi që tenton të ngrihet gjithmonë e më lart, që pas izolimit të dhunshëm, meriton plotësisht integrimin…

Zhani Ciko: Koncertet e integrimit, një skenë e hapur për të gjithë...

Duke folur për "Metropol", drejtori Ciko u shpreh se ky cikël koncertor është gati-gati një nevojë e brendshme për të ndjerë njëri-tjetrin sa më pranë, një dëshirë e "fshehtë" e vetë artistëve për të qenë prezentë sërish në "skenën-shtëpi".

Përse ky cikël koncertor "integrimi"?

Afrimi i stinëve të ngrohta na bën shpesh të takohemi me "të larguarit" e trurit apo talentet e kombit. Përveç takimeve të rastësishme, shumë kolegë, ish-studentë, madje dhe "bashkartistë", të panjohur më parë personalisht, por që ia kemi dëgjuar zërin njëri-tjetrit, vijnë e na takojnë. Të gjithë pa përjashtim janë të informuar me imtësi se ç’ndodh në opera, se si zhvillohet jeta artistike te ne etj. Të gjithëve u lexohet në sy se diçka i bren përbrenda. Tek asnjëri nuk ndjen indiferentizmin ndaj progresit të një vendi, që për ta përfaqëson jo vetëm lidhjen familjare, u lexohet qartë pyetja e fshehtë: "Po unë, a do të mund të bëj diçka në skenën-shtëpi?". Ata e ndjejnë se, megjithë rehatimin relativ aty ku ndodhen, familjarët dhe të njohurit sikur u thonë: "Po mirë, mor bir, u çmallëm, por ku ta dimë ne se çfarë artisti u bëre ti, që 6-vjeçar të çonim në lice me biçikletë përditë, në shi, erë a vapë, për të studiuar e për të të gëzuar në skenë. Të fituam apo të humbëm?". Ky merak na nxiti, përpos të tjerave, të ideojmë ciklin e prurjeve në atdhe, të artistëve të integrimit, atyre që atje ku janë ndihen jo vetëm të barabartë me kolegët, por, madje dhe të duartrokitur. Ata vijnë të gjithë, me kolegët e tyre të ftuar nga institucioni shtëpi i muzikës, më i madhi i shqiptarëve. Pa pretendime, ashtu siç vijnë në shtëpinë e tyre, të pritur vërtetë ngrohtësisht nga një publik që i konsideron bijtë e vet.

Artistë shqiptarë, por edhe kolegë të tyre të huaj...

Koncertet e integrimit nuk janë vetëm një vitrinë e arritjeve të të rinjve shqiptarë të integruar, por dhe një skenë e hapur për miqtë që vijnë nga rajoni e Evropa. Ata sjellin programe interesante, kulturën muzikore të inkastruar në epoka e stile të ndryshme. Janë prezentë në këtë cikël dhe mbrëmje të artistëve shqiptarë, që sjellin apo integrojnë krijmtarinë muzikore të rajonit në jetën tonë artistike. P.sh., vjen "Musicabalcanica", ende e panjohur sa dhe si duhet nga publiku, apo më saktë krijimtaria muzikore e komshinjve, mjaft më e panjohur, se sa ajo e vendeve që janë mijëra kilometra larg. Një artist i maturuar që vjen nga Serbia e Mali i Zi me dëshirën për të transmetuar, së pari, një mesazh bashkëpunimi artistik. Të rinj aspirantë që duan të tregojnë bravurën e tyre në Ditën ndërkombëtare të muzikës. Kjo është shtysa e koncerteve të integrimit, koncerteve që do të përbëjnë veç idesë së konceptimit, me siguri dhe vlera të vërteta artistike dhe atmosferë gëzimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›