E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Lidhjet tona fillojnë me Skënderbeun"

Një burrë i gjatë, fisnik, me mjekër të bardhë, e veladon të mëndafshtë të zi, kësaj here ka zgjedhur Shqipërinë për të festuar festën e "Shën Jovan Vladimirit". 

 Një nga festat më të rëndësishme e quajtur si dita e kuptimit, harmonisë e paqes, ditë, e cila është festuar shekuj pas shekujsh pa dallim feje, ka sjellë në Shqipëri mitropolitin Mihailo të kishës ortodokse malazeze. "Nuk është hera e parë që vij në Shqipëri dhe marrëdhëniet tona nuk nisin këto kohë. Ato datojnë me shekuj që në kohën e Gjergj Kastriotit. Marrëdhëniet ndërmjet malazezëve dhe shqiptarëve janë tepër të lidhura, madje edhe fisnore. Skënderbeu është djali i motrës së mbretit më të madh që ka pasur Mali i Zi, Ivan Crnojevic", shprehet mitropoliti Mihail për gazetën. Por padyshim edhe për të krijuar lidhje edhe më të ngushta ndërmjet kishës ortodokse malazeze dhe asaj shqiptare. "Kemi ardhur sepse Shën Johan Vladimiri është shenjti më i madh i malazezëve dhe i shqiptarëve. Kisha ortodokse malazeze ka një dëshirë të madhe, që nëpërmjet saj dhe kishës ortodokse shqiptare të ketë një marrëdhënie e lidhje vëllazërie. Siç kam thënë edhe më parë, Shqipëria është në kufij me Malin e Zi dhe anasjelltas. Liqeni i Shkodrës, nuk e ndan Shqipërinë dhe Malin e Zi, por i bashkon. Madje si popullsia malazeze, ashtu edhe ajo shqiptare kemi shumë ngjasime qoftë në karakter, qoftë në tipare, qoftë edhe si moral. Edhe po të shohësh historinë, gjuhën apo kishën, kemi gjëra të njëllojta", shton më tej mitropolit Mihaili. Në këtë udhëtim të tijin, mitropoliti i kishës ortodokse malazeze, Mihail ishte shoqëruar edhe nga biznesmeni i njohur Vuksan Vuksahaj, koordinatori për marrëdhëniet e Shqipërisë me Malin e Zi, Tom Dohaj, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve malazezë Milorad Popoviç, nënkryetar i PEN, Sreten Vujoviç dhe ambasadori i Malit të Zi, Zelko Peroviç.
***
Por mitropoliti Mihailo ka një merak të madh. Të rinovoj sërish kishat malazeze. Që nga viti 1918 deri në vitin 1993, kishat sikurse edhe vetë Mali i Zi u pushtuan nga Serbia dhe u kthyen në kisha serbe. Sipas mitropolitit, në vitin 1993 nisën të parat tentativa për rivendosjen e kishës ortodokse malazeze. Megjithatë, edhe sot pas shpalljes së pavarësisë kishat  vazhdojnë të jenë jo tërësisht malazeze. "Si njeri në kishë të malazezëve e ndjej veten shumë keq. Pasi ende në shteti e pavarur të Malit të Zi, nuk ka një kishë të sajën. Nuk mund të jetë shtet malazez e mos të ketë një kishë malazez", thotë ai. Tregojnë se festimet për Shën Jovanin bëhen në majën e malit më të lartë pranë Tivarit, Rumijës, ku njerëzit ngjisin një kryq që në traditë Jovan Vladimiri ka mbajtur në duar gjatë martirizimit dhe është një relikte me vlera të mëdha. Ky kryq për shekuj me radhë ka qenë në kujdesin e familjes Androviç në fshatin Velji Mikuliçi pranë Tivarit. Kjo familje e ka ruajtur kryqin origjinal të priftit për vite me radhë, duke e konsideruar të shenjtë mbrojtjen e tij njëlloj si jetën e tyre. Kryqi pas një procesi religjioz çohet çdo vit në malin Rumija 1593 metra të lartë. Personi që mban kryqin ndiqet nga një prift dhe pjesëtarë të tjerë të ceremonisë, të cilët tradicionalisht kanë qenë edhe të besimeve të tjera si katolikë dhe myslimanë të rajonit.
***
Por Mihailo nuk është thjesht një mitropolit aktual i kishës ortodokse malazeze. Ai ka një jetë të pasur, por edhe një larmishmëri eksperiencash. Mban titullin Arkipeshkv i Cetinjes. Ka lindur në Ramovo Ždrijelo, ish-Jugosllavi, më 8 nëntor 1938. Ai ishte prift i Kishës Ortodokse Mbarëkombëtare të Kostandinopojës (në Romë, Itali). Ndërsa në Mal të Zi si mitropolit i kishës ortodokse u zgjodh në asamble nga mbështetësit e tij në Cetinje, më 6 janar 1997. Mihail ka ndjekur dy degë për formim priftëror në Prizren, më pas ka ndjekur dhe përfunduar gjimnazin "The Real classic" në Prizren; ka studiuar pedagogji në Universitetin e Prishtinës dhe me mbështetjen e episkopit Pavle ndoqi shkollën Teologjike në Beograd. Më pas, Prof. Dr. Cedomir Draškovic, e dërgoi atë në Romë. Pasi mbaroi pas studimet aty u ftua nga mitropoliti Filaret në Rusi për post-studimet në Akademinë Shpirtërore, ku mori dhe doktoraturën. Gjatë viteve me mundësimin e ndërhyrjeve dhe ndihmës së miqve të tij në politikë dhe kishë ai ka mundur të hyjë dhe të kërkojë materiale të rralla në arkiva nga më të ndryshmet në të gjithë botën. Ai ka vëzhguar në arkivat shtetërore të Bashkimit Sovjetik për punë kërkuese. Ka punuar edhe në librarinë Šcedrin në Leningrad (1975). Më pas, ai ka studiuar në arkivat e shekullit 16-të deri 18-të në arkivat e Triestes dhe me ndërhyrje nga akademikë të lartë në Itali, atij iu mundësua të bëjë punë kërkuese në arkivat shtetërore të Italisë dhe në Ministrinë e Jashtme italiane në Romë. Aty ai mundi të gjente materiale nga arkivi i Vatikanit dhe arkivi shtetëror në Venecia. Përveç gjuhës së tij serbo-kroate, ai flet mirë italisht, rusisht, greqisht, frëngjisht dhe latinisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›