E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liga e Europes Java e Gjashte

Disa prej skuadrave më të njohura të Europës mund të eleminohen sonte nga Liga e Europës. Këto dy ditë luhen ndeshjet e gjashta dhe të fundit në grupe dhe në to vendoset fati i 11 ekipeve që ende shpresojnë ta kalojnë pranverën në futboll ndërkombëtar.

Në grupin D, Lacio rrezikon eleminimin dhe do t’i duhet fitorja ndaj Sportingut të Lisbonës, tashmë i kualifikuar, por edhe që Vaslui të mos fitojë. Pretendenti tjetër është, pra, Vaslui nga Rumania. Ballkanasit e kanë fatin në duart e tyre, për shkak të golave në fushë kundërshtare në përballjet me Lacion. Një fitore rumune do të thotë kualifikim.

Në Grupin F, Paris SG mund të jetë një tjetër viktimë e profilit të lartë dhe gjithashtu mund të mos i mjaftojë fitorja. Kjo sepse është me pikë të barabarta me Salcburgun dhe bilanc më të keq në ndeshjet direkte. Francezët presin Bilbaon, ndërsa austriakët shkojnë në Sllovaki, në fushën e Sllovanit të Bratisllavës.

Në Grupin E, Beshiktash është më afër kualifikimit duke pasur 3 pikë më shumë se Dinamo e Kievit, 9 ndaj 6. Ukrainasit presin Makabin e Tel Avivit, ndërsa turqit kanë nevojë vetëm për një pikë në ndeshjen ndaj Stouk Sitit anglez në Stamboll.

Në Grupin K, Fulham është më pranë kualifikimit pasi ka 7 pikë ndaj 6 të Vislës së Krakovit. Anglezët presin Odensen daneze në Londër, ndërsa Visla pret në Poloni skuadrën holandeze të Tventes, e cila është e kualifikuar.

Së fundi, në grupin J, janë 3 skuadra në lojë. Makabi ka 6 pikë, n dërsa Steaua e AEK-u qipriot nga 5. Makabi luan në Izrael ndaj Shalkes, që është e kualifikuar, ndërsa Steaua pret në Rumani AEK-un. Nëse Steaua fiton, Makabit ose AEK-ut i duhet po ashtu fitorja.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›