E Diel, 1 Nëntor 2026

Liga e Kampioneve Bajern-Lion çon finalisten e parë në Bernabeu

Autori i Lajmit: Redaksia

Lion - Është gjithçka gati për tu luajtur ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve, me Bajernin e Mynihut dhe Interit që e nisin me avantazhin e krijuar pas ndeshjeve të para, respektivisht kundër Olimpikut të Lionit dhe Barcelonës. Kjo do të thotë se Barcelona do të shfaqë një profil krejtësisht sulmues për të përmbysur në “Kamp Nou” fitoren 3-1 të Interit në “San Siro”, me synimin për të mbajtur shpresat gjallë për tu bërë skuadra e parë që mbron titullin, qysh kur Kupa e Kampioneve u shndërrua në Ligën e Kampioneve. Ndërkaq, Lioni, i vetmi ekip nga katër gjysmëfinalistet, që nuk e ka fituar asnjëherë Ligën e Kampioneve, duhet të shënojë të paktën një gol sot në “Gerland” për të ekuilibruar fitoren 1-0 të Bajernit të Munihut në “Alianz Arena”. Lioni nuk arriti ta shfrytëzojë avantazhin kur mesfushori i Bajernit, Frenk Riberi, u ndëshkua me karton të kuq në pjesën e parë, përpara se Zheremi Tulalan ta linte me dhjetë vetë skuadrën franceze me fillimin e fraksionit të dytë. Trajneri Klod Pyel ka gjashtë lojtarë me kartonë të verdhë, të cilët pa dyshim do të ulin agresivitetin me frikën se mos humbasin finalen, gjithmonë në rastin se ekipi i tij do të përmbysë e do të bëjë të pavlefshëm golin e Arjen Robenit për Bajernin, ky i fundit është i freskët pasi nuk luajti në fundjavë në kampionatin gjerman. Bajeni barazoi me Borusia Mynshenglabahun dhe tashmë bashkëkryeson Bundesligën gjermane së bashku me Shalke 04. Daniel van Buyten dhe Martin Demikelis janë të dëmtuar dhe në dyshim, ndërkohë që trajner Luis van Gal mund të hedhë në mbrojtje Anatoli Timoshuk dhe Holgen Badbuster. Si mbrojtësi argjentinas ashtu edhe ai belg kanë udhëtuat drejt Francës së bashku me pjesën tjetër të grupit, por vendimi final mbi aktivizimin e tyre do të merret vetëm në momentin e fundit. “Shpresoj të kem të gatshëm të paktën njërin nga qendërmbrojtësit, do të isha i kënaqur me kaq”, - pohoi trajneri hollandez për faqen e klubit në internet. Pa Riberinë e pezulluar, bosi holandez i Bajernit duhet ti jetë mirënjohës formë së shkëlqyer të patriotit të tij, Roben, pasi me golat e këtij të fundit Bajerni kaloi 1/8-at me Fiorentinën dhe çerekfinalet me Mançester Junajtid.

Strategjia e Van Gal

Trajneri i Bajernit të Mynihut, Luis van Gal deklaroi se mënyra më e mirë për të mbrojtur avantazhin 1-0 të ekipit të tij kundër Lionit në ndeshjen e dytë gjysmëfinale në Ligën e Kampioneve do të jetë sulmi ndaj vendasve nëse ata dëshirojnë të jenë në finale. Bajerni është me një këmbë në finalen e Madridit falë goditjes perfekte të Arjen Robenit në “Alianz Arena” të mërkurën e kaluar dhe Van Gal sugjeroi se formacioni i tij duhet të sulmojë në front të gjerë, duke deklaruar se për të ndeshja nis nga rezultati 0-0, për të motivuar akoma më shumë lojtarët e tij për të avancuar në finalen e parë të Ligës së Kampioneve qysh nga viti 2001. Van Gal tha: “ Ne duhet të harrojmë atë që ndodhi në ndeshjen parë pasi kjo e dyta do të jetë një ndeshje ndryshe. Por unë besoj se lojtarët e mi e dëshirojnë fort të jenë në finale. Dëshira jonë është e fortë”. Bajerni do të luajë kundër Lionit pa disa lojtarë kyç si Frenk Riberi e Anatoli Timoshuk, ndërkohë që Martin Demikelis dhe Diego Kontendo janë në dyshim të madh. Van Gal pranoi: “Ne kemi shumë dëmtime dhe shumë problem. Ne shpresojmë se ata do të luajnë. Ne kemi sjellë 17 lojtarë dhe nëse ata nuk do të luajnë, atëherë ne do të kemi 14 lojtarë. Gjithsesi, ne do të jemi në gjendje të hedhim në fushë 11 lojtarë”. Edhe pse ekipi i tij vuan nga dëmtimet dhe pezullimet, Van Gal e e di se mund të besojë në ekstra-cilësinë me të cilën përkufizohet një ekip gjerman. Ai shpjegoi: “Kur unë isha trajner i Holandës, unë isha mësuar tu thosha gjithmonë lojtarëve se ju nuk e keni mundur një ekip gjerman, edhe pse kanë kaluar 90 minuta dhe ju kryesoni. Ne kemi shumë lojtarë gjermanë në skuadër dhe janë shumë të huaj që luajnë prej një kohe të gjatë në Gjermani. Këta lojtarë kanë mësuar shumë nga futbolli gjerman dhe nga ky mentalitet i jashtëzakonshëm i futbollistëve gjermanë. Kjo është arsyeja se përse unë jam këtu te Bajerni i Mynihut”. Bajerni është në rrugën e një triplete historike. Ai kryeson me golaverazh ndaj Shalke 04 në krye të Bundesligës, kur kanë mbetur edhe dy javë për tu luajtur, ndërkohë që në finalen e 15 majit në Kupën e Gjermanisë do të përballet me Verder Bremenin. Shatë ditë më pas, Bajerni shpreson të jetë në Madrid, në kërkim të lavdisë evropiane.

LIGA E KAMPIONEVE
GJYSMËFINALET
NDESHJET E KTHIMIT

27.04.2010
20:45 Lion-Bajern Munih (0-1)

28.04.2010
20:45 Barcelona-Inter (1-3)

Lion-Bajern

Francezët besojnë tek finalja e Madridit

Trajneri i Lionit, Klod Pyel, është i njohur për motivimin e lojtarëve të tij dhe ai mendon se ekipi i tij mund të kualifikohet edhe pse ka humbur ndeshjen e parë. “Ne kemi shanset tona në ndeshjen e kthimit, edhe pse do të kishte qenë mirë të shënonim në ndeshjen jashtë shtëpisë”, - tha Pyel. “Ne shkuam në Madrid dhe u kualifikuam dhe tani na duhet ta bëjmë edhe në stadiumin Gerland. Unë i preferoj këto lloj skenarësh, pasi ju luani futbollin tuaj më të bukur kur ju keni nevojë të merrni rezultat. Unë mendoj se ne kemi çdo shans për tu kualifikuar thjesht duke luajtur me aftësitë tona”. Lioni ka pritur vite të tëra për një shans në suksesin kontinental, pasi asnjëherë më parë nuk ka qenë në fazën gjysmëfinale të kompeticionit. Presidenti i klubit, Zhan Mishel Olas, tha se ekipi gjerman festoi pas fitores në ndeshjen e parë, por ekipi i tij nuk ka aspak frikë pas eliminimi të Realit të Madridit në raundin e parë me nokaut. “Dëgjova thirrjet e fitores nga lojtarët e Bajernit, të zhurmshme dhe të qarta, kur ata shkuan në dhomën e tyre të zhveshjes”, - tha Olas. Trajneri Pyel mori lajme të mira pas kthimit në stërvitje të mbrojtësve Dejan Lovren dhe Zhan-Alain Boumsong, ky i fundit nuk luante prej tre javësh pas dëmtimit në stërvitje të një muskuli të pulpës. “Ai u stërvit normalisht, pas një efekt dëmtimi”, - tha Pyel. “Ai do të jetë në skuadër”. Edhe pse mbrojtja e Lionin nuk do të shqetësohet nga Riberi, forma e shkëlqyer që po përjeton Arjen Robeni mund të shndërrohet në një makth të vërtetë. Anësori holandez ka shënuar 20 gola në 31 ndeshje për Bajernin n këtë sezon, dhe 16 në 18 ndeshjet që janë luajtur këtë vit. Ai shënoi golin e fitores së Bajernit në ndeshjen e parë dhe realizoi golin që nxori jashtë Evropës, Mançester Junajtid, në çerekfinale. Van Gal është një trajner i rregullave të ashpra dhe ai nuk hezitoi ta zëvendësonte Robenin në ndeshjen e parë kundër Lionit, edhe pse anësori nuk e mirëpriti atë. Ish-trajneri i Holandës tha se ai mund ta bëjë sërish këtë, nëse kjo gjë do të kërkohet. Mesfushori i Bajenrit, Bastian Shvajnshtajger tha të shtunën pas barazimit 1-1 me Borusia Mynshengladbahut se ekipi i tij është më pak i freskët se sa Lioni, që shtyu nga ana e tij ndeshjen kundër Monakos. “Ne pësuam disa dëmtime, ndërkohë që Lioni mundi të përgatitej më qetësisht për këtë ndeshje”, - tha Shvajnshtajger. Inkursionet e Riberisë janë thelbësore në stilin e kundërsulmit të Bajernit dhe kapiteni Mark van Bomel theksoi se mungesa e anësorit francez do të ndihet jo pak. “Është një keqardhje për ne që Frenk nuk do të luajë”, - tha Van Bomel. “Ai është një nga lojtarët më të mirë në Evropë”.

Ky lajm është publikuar: 27/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›