E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suedi, tradhtia anulon dasmën mbretërore Madelein-Jonas

Autori i Lajmit: A.D
Stokholm – Një martesë e familjes mbretërore suedeze është anuluar për shkak se një studente e Universitetit Bournemouth në Britani pretendon se ka shkuar me të fejuarin e princeshës Madeleine. Jonas Bergstrom ishte fejuar me princeshën suedeze Madeleine, 27 vjeçe, pas një romance që kishte zgjatur tetë vjet. Por princi i saj 31-vjeçar thuhet se e ka tradhtuar atë me Tora Uppstrom Berg, një studente 21-vjeçare për fotografi në degën e arteve. Marrëdhënia që ka zgjatur vetëm një natë “one night stand” ka ndodhur gjatë një udhëtimi të studentes në një rezort skish me miqtë e saj. Pas një deklarate të tillë të zonjushës Uppstrom Berg, dhënë një reviste lajmesh soft, pallati mbretëror në Stokholm ka shpallur zyrtarisht anulimin e fejesës. Zonjusha Berg, e cila përpara se të mbërrinte për të studiuar në Britani ka qenë një yll hendbolli në Norvegji, pretendon se e ka takuar Jonas Bergstrom në një rezort suedez skish, pasi më parë ishin takuar në një klub nate. “Unë kam pasur një marrëdhënie me të fejuarin e Madeleines”, - tha zonjusha Uppstrom Berg për revistën norvegjeze të thashethemeve “Se Og Hor”. Ne u afruam gjatë mbrëmjes. Ai më ndoqi në shtëpi me taksi në orën 4 të mëngjesit”. Uppstrom pretendon se ajo nuk e kishte njohur personin me të cilin kishte shkuar. “Po ta kisha ditur, nuk do ta kisha bërë kurrë një gjë të tillë. Më vjen shumë keq për Madeleinen që kishte në krah një burrë tradhtar”. Fundi dramatik i një prej dashurive më të famshme mbretërore të Evropës është skandali më i fundit që prek monarkinë suedeze. Vëllai i Madeleines, princi
Karl Filip, aktualisht del me një modele topless të një reality shou. Ndërkohë që Suedia është duke pritur martesën e motrës më të madhe të Madeleines, princeshës Viktoria, me një pronar palestre në qershor. Princesha Madeleine thuhet se është larguar drejt Nju-Jorkut për të marrë veten nga tradhtia e të fejuarit të saj. Ajo bashkëjetonte me Jonas Bergstrom në një apartament në kryeqytetin suedez. Jonas i propozoi asaj në ishullin e Kaprit gushtin e shkuar. Për shkak të kushtetutës suedeze, qeveria duhet ti referohej zotit Bergstrom si princ pas martese. Ata nuk e kishin përcaktuar ende datën e dasmës, por ajo pritet të ndodhte shumë shpejt, madje që këtë verë. Tri ditë pasi shpërtheu skandali, pallati mbretëror refuzoi të komentonte problemet e çiftit. Por të shtunën, Madeleine hoqi nga gishti unazën e fejesës dhe u nis drejt Shteteve të Bashkuara duke lëshuar më pas një deklaratë që konfirmonte ndarjen. “Ata kanë vendosur se gjëja më e mirë është të shkojnë në drejtime të ndryshme”, - thuhet në deklaratën e Pallatit Mbretëror Suedez. Princesha, emri i plotë i së cilës është Madeleine Therese Amelie Josephine, Princeshë e Suedisë, Dukeshë e Halsinglandit dhe Gastriklandit – do të kalojë disa javë në Nju-Jork. Burime brenda pallatit thanë se, për të kaluar dhembjen, princesha ka nisur të punojë për Fondacionin Botëror të Fëmijëve. Pasi ka konkurruar për tu diplomuar në art, histori dhe etnologji më 2006, Madeleine ka punuar në Fondacionin e Fëmijëve të themeluar nga nëna e saj, Mbretëresha Silvia.

Ky lajm është publikuar: 27/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›