E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëlqejnë vëllezërit Kuqi

Vëllezërit Shefki dhe Njazi Kuqi kanë shkëlqyer në fitoren e skuadrës së tyre, Swansea City, në një miqësore të zhvilluar të martën mbrëma në Llanelli, ndaj ekipit Stebonheath Park, që përfundoi 5:1.

Vëllai i madh, Shefkiu, realizoi dy gola, në minutat 18 dhe 24, nga penalltia. Ai ia lëshoi vendin në minutën e 74-t vëllait të tij, Njaziut, i cili 10 minuta më vonë, me një goditje nga distanca, e shënoi golin më të mirë të ndeshjes, njëherësh edhe të fundit, në fitoren e ekipit të menaxherit të ri, Brendan Rodgers.

Ky ishte goli i dytë i 27-vjeçarit Kuqi me Swansean, pas atij të 10 ditëve më parë kundër Port Talbotit. Goli i realizuar të martën mbrëma e ka afruar edhe më shumë futbollistin e Koblenzit tek ekipi nga Championship anglez (liga e dytë).

Njazi Kuqi po provohet te Swansea që dy javë, pasi duket se ai nuk e ka ndërmend të luajë më te Koblenzi, i cili ra nga liga e dytë gjermane.

Vëllezërit Kuqi patën luajtur së bashku tek ekipi gjerman, para se Shefkiu të largohej nga Koblenzi në janar. Për ta, ribashkimi do të ishte një ëndërr. “Do të ishte një ëndërr për ne të luajmë së bashku në Swansea. Jemi mjaft të lidhur si vëllezër dhe mund ta lexojmë njëri-tjetrin në fushë shumë mirë”, thoshte ditë më parë Shefkiu. - “Por, ne jemi të ndryshëm si futbollistë. Edhe pse ai është i gjatë si unë, preferon të luajë me topin në këmbë. Unë jam më i mirë në ajër”.

Njaziu e kishte nisur karrierën në Finlandë me ekipin FC Lahti në vitin 2002. Pas dy vjetësh, ai iu bashkua ekipit të Premierligës, Birmingham, ku e kaloi një vit. Pastaj e kaloi kohën si huazim edhe tek ekipet Blackpool e Peterborough, para se në vitin 2006 t’i bashkohej ekipit holandez, Groningen.

Ai iu bashkua më pas ekipit gjerman, FC Carl Zeiss Jena, para se të nënshkruante kontratë trevjeçare me Koblenzin, në vitin 2007. Tash, ai synon të rikthehet në futbollin anglez. “Është shumë mirë të luaj përkrah Shefkiut prapë. I kam shijuar stërvitjet shumë dhe i gjithë ekipi më ka bërë të ndihem mjaft i mirëseardhur”, ka thënë në fund Njazi Kuqi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›