"Ligj dhe Drejtësi", Ngjela zyrtarisht me parti të re
Partia më e re, e drejtuar nga Spartak Ngjela, është regjistruar dje në regjistrin e partive politike, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë
TIRANË- Nga sot, Spartak Ngjela do të kryesojë ligjërisht një parti të re, "Ligj dhe Drejtësi". Partia e tij është regjistruar dje në regjistrin e partive politike pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me iniciale PLiDr.
Regjistrimi i partisë së tij në Gjykatë do t'i hapë rrugë edhe firmosjes së marrëveshjes së Polit të Lirisë, ku pritet të marrin pjesë demokristianët, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe partia "Ligj dhe Drejtësi".
Partia e Ngjelës ka në themel ndërtimin e një demokracie liberale të mbështetur në Kushtetutë, parlamentarizëm dhe të drejtat dhe liritë universale të njeriut.
Partia "Ligj dhe Drejtësi" pritet që të shpallet publikisht përmes një tubimi edhe në qytetin e Tiranës, ndërkohë që ka filluar krijimi i saj në qytetet kryesore të vendit.
Me regjistrimin e partisë, shumë shpjet pritet që të krijohet edhe "Poli i Lirisë", që në thelb synon krijimin e një qeverisje të aftë të qendrës së djathtë, në shërbim të qytetarëve dhe integrimit të vendit në strukturat Euroatlantike, ndërtimin e një shteti normal të së drejtës, që u garanton qytetarëve qeverisje dhe institucione funksionale, liritë dhe të drejtat politike, liritë ekonomike, liritë dhe të drejtat e njeriut, një mirëqenie të stabilizuar dhe zhvillim perspektiv, integrim të plotë në NATO dhe në BE.
Koalicioni "Poli i Lirisë" nuk do të bashkëpunojë me Partinë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme të qershorit. Marrëveshja e tyre nuk do të synojë bashkëpunim me PD-në, ndërkohe që kanë përcaktuar edhe skemën se si do të funksionojnë mes tyre.
Të tre drejtuesit e këtij koalicioni, PDK-ja, LZHK-ja dhe PLiDr-ja, janë shprehur me nota kritike ndaj punës aktuale të qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha. Në thelb, vërejtja e tyre qëndron në mosrealizimin e premtimeve dhe në faktin se politikat e kësaj qeverisjeje kanë shkuar majtas dhe jo djathtas.