E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i SHIK-ut: Ja ku u mbajt peng Remzi Hoxha

TIRANË- Ish-drejtori i komanduar i SHIK-ut të Tiranës në vitet '98-'99, Ilir Cenollari, dëshmoi mëngjesin e djeshëm, për denoncimin e Ziso Kristopullit, ish- krerëve të SHIK-ut, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi, të akuzuar për rrëmbimin Ziso Kristopullit, Avdyl Loshajt,për zhdukjen e Remzi Hoxhës.

Gjatë dëshmisë së tij, Cenollari ka bërë një deklarim të lirë, duke shpjeguar para togave të zeza takimin me njërin nga "viktimat" e këtij rrëmbimi, shtetasin Ziso Kristopuli nga fillimi i vitit 1999. Sipas tij, ka qenë, Kristopuli që me ndihmën e një ish-efektivi të SHIK-ut në Sarandë, ka mbërritur në Tiranë dhe ka denoncuar dhunën e ushtruar ndaj tij nga ish-agjentët dhe drejtuesit e SHIK-ut në vitin 1995.

Pas këtij denoncimi, sipas Cenollarit, janë vizituar ambientet e qendrës së strehimit të Vain të Lezhës, ku shtetasi Kristopuli është mbajtur për disa ditë, ku i është ushtruar dhunë dhe tortura çnjerëzore nga ish-agjentët e SHIK-ut.
Dëshmia


"Me shtetasin Ziso Kristopuli jam njohur rastësisht, pasi ai kishte bërë një ankesë ndaj punonjësve dhe ish- punonjësve të SHIK-ut, për ushtrim dhune në vitin 1995. Për këtë ankesë, janë njoftuar nga unë dhe nga vetë Kristopuli të gjithë instancat e larta shtetërore në vitet 1998-'99. Shtetasi Ziso Kristopuli, nëpërmjet një nëpunësi të SHIK-ut të Sarandës ka ardhur në kryeqytet, ku është marrë në pyetje dhe i gjithë informacioni që ai dispononte për dhunën ndaj tij".

Sipas ish- drejtorit të SHIK-ut të Tiranës, për rastin e Kristopullit është kërkuar informacion edhe nga Presidenti i Republikës së asaj kohe, Rexhep Meidani, që është informuar nga ana jonë me shkrim dhe zyrtarisht. "Për këtë ankesë, Ziso Kristopuli i shoqëruar nga drejtori i atëhershëm i SHIK-ut në Sarandë, Metlut Vatraku dhe bashkë kemi shkuar në Lezhë. Atje SHIK-u ka pasur një shtëpi pushimi që ishte e shkatërruar. Sapo e ka parë Kristopulli këtë banesë, është shprehur se "po këtu kam qenë dhe jam torturuar nga agjentët e SHIK-ut". Në këtë vend, që njihej si Kune e Lezhës, është mbajtur një procesverbal për këtë "vizitë" me deklaratat e Kristopullit. Ai ka përshkruar vendin ku është ushtruar dhunë ndaj tij. Në asnjë moment, Ziso Kristopulli nuk ka përmendur emra konkretë, se kush ishin ata që e kishin marrë dhe dhunuar në Kune të Lezhës",- tha dëshmiatri Cenollari, duke përfunduar dëshminë duke pohuar që nuk i njihte të pandehurit në këtë proces.


Procesi


Në vazhdim të seancës së djeshme, po me kërkesë të prokurorisë, është pyetur para gjykatës shtetasi Aziz Tërziu, ish- shofer i SHIK-ut prej shumë vitesh. Sipas prokurorisë, arsyeja e thirrjes së dëshmitarit Tërziu për të provuar se makinat që përdoreshin nga SHIK-u kishin edhe targa civile. Në deklarimet e tij, dëshmitari ka shpjeguar faktin që targat që SHIK-u përdorte ishin edhe private përveç atyre zyrtare. Gjithashtu, pas dëshmisë së Tërziut, prokurori i çështjes lexoi deklarimet e shtetasit Maksim Kroi, të dhëna para organit të akuzës, ku theksonte faktin se "rrëmbimin e Ziso Kristopulit e kishte marr vesh nga bashkëshortja e Kristopulit, në pularinë e viktimës ku ai punonte". Këto deklarime, sipas akuzës, janë dhënë më 3 shkurt të vitit 2003 në prokurorinë e Tiranës nga hetuesit e çështjes së asaj kohe të cilët pas hetimit disa mujor e pushuan çështjen.

AKUZAT


Ish-drejtuesit e SHIK-ut në kryeqytet, shtetasit Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro e Avni Koldashi, akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për kryerjen e veprës penale të "rrëmbimit të personit" në tre raste të shoqëruara me torturë fizike e psikologjike. Ky rrëmbim nga agjentët e SHIK-ut është kryer ndaj shtetasve Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk dihet.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›