E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ligj për kontrollin e shpenzimeve të buxhetit

06/06/2005  Komiteti Orientimit të Politikave, prezanton strategjinë për qëndrueshmërinë fiskale dhe prioritetet

“Çdo fillim viti, kryetarët e pushtetit lokal, do të bëjnë transparencën e fondeve”

Partia Demokratike, do të hartojë një ligj, me anë të të cilit, parlamaneti do të kontrollojë shpenzimet qeveritare. Sipas specialistëve të PD-së, 20 për qind e shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit, qarkullojnë pa kaluar nën kontrollin e parlamentit dhe, kjo bëhet shkas për abuzime nga ana e qeveritarëve. Këto deklarata janë bërë dje, nga krerë të PD-së dhe Komitetit të Orientimit të Politikave, në prezantimin e strategjisë mbi "Qëndrueshmërinë fiskale, prioritetet e fondeve dhe sistemi buxhetor në Shqipëri“. Strategjia e prezantuar dje është e fundit dhe është pjesë e paketës fiskale të hartuar nga KOP, ku premtohet përgjysmimi i taksave dhe lehtësimi për bizneset. Relatori i strategjisë, Selami Xhepa, tha se kjo strategji ka për qëllim orientimin e politikave fiskale me qëllim shpërndarjen e fondeve në mënyrë sa më efiçente, duke i orientuar ato drejt prioriteteve të qeverisjes, ku një vend të veçantë zë arsimi dhe shëndetësia. Sipas strategjisë, shpërndarja e fondeve duhet të përputhet me prioritetet e shpallura në platformën e PD-së, të cilat janë mbrojtja sociale për grupet në nevojë dhe zbutjen e varfërisë, zhvillimin e infrastrukturës, zhvillimi ekonomik, etj. Gjithashtu, raportimi i kryetarëve të pushtetit lokal në çdo fillim viti mbi përdorimin e fondeve, prejardhjen dhe transparencën e tyre, janë pjesë e platformës së PD-së.

Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij tha se, qeveria e PD-së do të jetë 30 deri në 40 për qind më e vogël se qeveria aktuale. Sipas kreut demokrat, në rast se ulen ndjeshëm shpenzimet qeveritare, atëherë këto fonde do të kalojnë për investime. “Në rast se evazioni është dominues në mbledhjen e të ardhurave, shpërdorimi është dominues në përdorimin e tyre. Ky është realiteti i kësaj qeverisjeje, të cilës i kanë mbetur edhe disa ditë. PD zotohet për një qeveri të vogël në mënyrë që të ulë sa të jetë e mundur dhe më shumë, shpërdorimin e taksave të qytetarëve për shpenzimet zyrtare. Në këtë kontekst, të paktën 30 deri 40 % do të jetë zvogëlimi i qeverisë së ardhshme. Do të rrudhet qeveria dhe do të vendoset në dietë të plotë. Këto do të jenë parimet që do të udhëheqin, që synojnë ndryshimin e ardhshëm. Nëqoftëse do të shkurtohen në mënyrë të ndjeshme shpenzimet operative, do të rriten në mënyrë të ndjeshme shpenzimet për investime”, tha Berisha.

Rritja e PBB

Strategjia parashikon që brenda vitit 2008, të kemi një rritje prej 30 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas specialistëve të strategjisë, rritja e të ardhurave tatimore, duhet të jetë kusht i domosdoshëm për të mbështetur realizimin e objektivave strategjikë që janë zbutja e varfërisë, mbështetja e sektorit privat, arsimi, shëndetësia, etj. Në strategji, parashikohet që brenda tre vjetëve të ardhshme, bazuar dhe në rritjen e PBB-së, të ardhurat tatimore të rriten në masën 27 për qind, krahasuar me ditët e sotme.

Masat

Kufizimi i shpenzimeve qeveritare

Hartimi i ligjit të transparencës së fondeve

Brenda vitit 2008 investimet publike të zenë 7 % të PBB

Shpërndarja e fondeve duhet të ketë prioritet

Arsimin për të mbështetur rritjen e kapitalit njerëzor

Përmirësimin e cilësisë së shëndetit publik

Mbrojtjen sociale për grupet në nevojë

Uljen e varfërisë

Zhvillimin e infrastrukturës dhe zhvillimin ekonomik

Përmirësimin e qeverisjes

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›