E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në rast vdekjeje, familjet marrin pension suplementar dhe dy paga shpërblim

06/06/2005  Meshkujt dalin në pension të parakohshëm 47 vjeç me 15 vjet punë, femrat 44 vjeç me 12 vjet punë

Ndryshojnë pagat e ushtarakëve, rroga sipas vjetërsisë

Parlamenti ka miratuar dje ligjin për sigurimin e pensioneve suplementare për forcat ushtarake. Sipas vendimit, pensionet do të shkallëzohen sipas vjetërsisë në shërbimin ushtarak aktiv dhe llogaritet nga data e titullimit oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ndërsa për ushtarakët, të cilët kanë kryer stazhin për oficer, nga data e fillimit të stazhit. Sipas ligjit, ushtarakët përfitojnë pagesë suplementare dhe kur sëmuren apo pushohen nga detyra për shkak të reformave. Të ardhurat e përfituara nga ky ligj nuk tatohen.

Kriteri

Paga, për efekt të përfitimeve nga ky ligj, përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit, së bashku me shtesat, që përfiton ushtaraku i së njëjtës gradë në çastin e lindjes të së drejtës së përfitimit. Për ushtarakun, që ka dalë në rezervë ose në lirim, para apo pas datës së shtrirjes së efekteve financiare të këtij ligji, dhe e drejta për të përfituar i lind pas kësaj date, paga përbëhet nga paga, së bashku me shtesat që ka ushtaraku aktiv, në po atë funksion ose gradë, në çastin që i lind e drejta për të përfituar. Për studentët e shkollave të larta ushtarake, paga është rroga e gradës më të ulët të oficerit, ndërsa për kursantët, nënoficerët, është paga më e ulët e gradës së nënoficerit. Kur funksioni ose grada, që kishte përfituesi nuk është më, ministri i Mbrojtjes, me urdhër, bën njësimin e tyre me ato funksione apo grada që janë në fuqi në çastin e lindjes të së drejtës për përfitim. Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, pavarësisht nga koha e daljes në rezervë/lirim, deri në plotësimin e kushteve për pension të plotë pleqërie, përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit, si ushtarak, në masën 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt dhe kanë mbushur moshën 44 vjeç, femrat dhe 47 vjeç meshkujt.

Llogaritja

Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet në masën 40 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë, kur ushtaraku ka vjetërsi shërbimi 12 vjet, për femrat, dhe 15 vjet për meshkujt.

Për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit suplementar të pleqërisë shtohet me 2 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë. Pensioni suplementar, në çdo rast, nuk duhet të jetë më i madh se 60 për qind të pensionit të pleqërisë. Ndërsa pensioni suplementar i invaliditetit llogaritet 2 për qind për çdo vit shërbimi në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, mbi pensionin që merr përfituesi, por jo më shumë se 50 për qind të pensionit të invaliditetit. Periudha, për të cilin ushtaraku përfiton pension invaliditeti, njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pensioni të plotë pleqërie. Kontributi për këto kategori përballohet nga buxheti i shettit dhe derdhet mbi bazën e pagës për gradë që ka patur ushtaraku në çastin e nxjerrjes në rezervë/lirim. Ushtarakët , të cilët, nga ligje të tjera gëzojnë përfitime të veçanta mbi

pensionin e pleqërisë, kanë të drejtë të zgjidhin ndërmjet trajtimit apo ligjeve të tjera.

Dëmtimet

Ushtari i shërbimit të detyrueshëm, studenti ushtarak ose kursanti për nënoficer, i cili për shkak të detyrës ose gjatë saj pëson dëmtime trupore apo mendore dhe përfiton pension të plotë apo të pjesshëm invaliditeti, përfiton edhe pension suplementar. Masa e përfitimit suplementar të invaliditetit për ushtarin e shërbimit të detyrueshëm, studentin ushtarak ose kursantin për nënoficer është në masën 20 për qind të pagës mujore të gradës. Personat, që janë në ngarkim të ushtarakut të shërbimit aktiv, në rezervë apo lirim, që vdes apo ka vdekur, dhe që përfitojnë pension familjar, marrin pension suplementar familjar. Masa e përfitimit të pensionit suplementar familjar llogaritet në 50 për qind, burri apo gruaja e ve, dhe 25 për qind për çdo jetim, prind dhe çdo pjesëtar tjetër të familjes në ngarkim, me kufi maksimal shumën e plotë deri në 100 për qind të pensionit suplementar, që kishte apo i takonte të merrte të ndjerit, sipas këtij ligji. Masa e përfitimit të pensionit suplementar familjar për ushtarakët që, për shkak të detyrës apo gjatë saj, humbasin jetën, llogaritet në vlerën 100 për qind të pagës mujore, shtesë mbi pensionin familjar. Sipas ligjit, masa e pagesës në rast vdekjeje të ushtarakut në rezervë/lirim është e barabartë me masën e trefishit të pensionit bazë mujor, në shkallë vendi. Nga ky ligj nuk përfitojnë ushtarakët e nxjerrë në lirim për shkak se janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim për krime të kryera me dashje.

Drejtori i ISSH-së, Ilir Beqja: Ja pse bëmë ndryshimet ligjore, kush dhe si përfitojnë

“Marifetxhinjtë i larguam me ligj”

Invalidët dyndin në zyrat e sigurimeve, ligji pret dekretimin e Presidentit

Personat me aftësi të kufizura, të cilët kanë pësuar aksidente, apo u janë shfaqur sëmundje, janë dyndur në zyrat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Fondacionit të Njerëzve me Aftësi të Kufizuara, për të pytur se kur nis ligji i ri, pasi shumë prej tyre përfitojnë pension të reduktuar, para të humbura deri tani, si dhe ka të tjerë që nuk kanë nevojë të bëjnë allishverishe për të fituar pension, pasi është hequr kushti i të qenit i siguruar vitin e fundit, kur ndodh aksidenti. Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Ilir Beqja, shpjegon se ligji i miratuar në prill të këtij viti nga Parlamenti, është në pritje të dekretimit nga Presidenti Alfred Moisiu dhe 15 ditë pas momentit të firmosjes prej tij, do të hyjë në fuqi dhe do të nisë të zbatohet.

Me sa duket çdo ndryshim ligjor ka një histori, lind nga nevoja për të korrigjuar diçka, për të minimizuar një fenomen dhe projektligji i pensioneve, miratuar në muajin prill nga Parlementi, bën disa korrigjime të tilla.

Hiqet mundësia e vërtetimeve false

“U vu re se njerëzit që nuk mund të përfitonin pension, pasi nuk kishin qenë të siguruar në asnjë kohë gjatë vitit të fundit kur kishte ndodhur aksidenti, gjenin ndonjë vërtetim, sikur kishin punuar në ndonjë firmë private. Dhe dy javë të figuronin si të punësuar dhe që paguanin sigurimet, kishte vlerë dhe përfitonin. Të gjithë e gjenin një vërtetim të tillë dhe të gjithë arrinin të përfitonin. Marifetxhinj të tillë gjen gjithandej. Kështu që vendosëm që të mos u japim mundësi këtyre marifetxhinjve që t’u merrnin lekë këtyre njerëzve, që, tashmë kanë një hall të madh dhe e hoqëm fare kushtin e të qenit i siguruar vitin e fundit”, shpjegon Ilir Beqja, drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Si do të llogaritet pensioni i parakohshëm

“Eshtë e padrejtë, ke kontribuar vite të tëra dhe një ditë pëson aksident, nuk punon dot dhe nuk merr dot asnjë lek nga ato që ke derdhur. Kështu që e pamë të arsyeshme, që nga 20 vjet punë që duhej për të përfituar pension të reduktuar, ta ulnim në 15 vjet. Ndërkohë që kush ka 14 vjet sigurime, përsëri përfiton, por më pak. Deri tani pensioni i reduktuar është llogaritur, mosha e personit minus 20 pjesëtim për dy, ndërsa tani, nëse personi ka qenë jo 15 vjet i siguruar, por 14, bëhet dhe pjesëtimi se sa hyn 14 te 15 vjetëshi. Pra, gjithnjë arrin të përfitosh sipas viteve që ke kontribuar. Ndërkohë këta persona, duke qenë se nuk përfitonin pension të reduktuar, nuk arrinin të merrnin as pensionin kur u arrinte mosha e pensionit. Ndërsa tani, vitet që marrin pension të reduktuar u njihen si vite dhe kur të arrijnë moshën e pensionit, do të përfitojnë pension pleqërie”, shpjegon drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Ilir Beqja.

Për invalidët tre mundësi:

1. Hiqet kushti i të qenit i siguruar gjatë vitit të fundit kur ndodh aksidenti

2. Jepet mundësia për të përfituar pension invaliditeti i reduktuar, sipas viteve që ke qenë i siguruar

3. Këto vite të njihen si vite pune, për të përfituar pension pleqërie

Për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe ata që janë aksidentuar në punë, hiqet kushti i të qenit i siguruar në momentin që ndodh aksidenti, apo shfaqet sëmundja

Mënyra e llogaritjes së pensionit të invaliditetit

Kjo periudhë që quhet minimale, del si rezultat i një formule që përmban moshën e personit dhe moshës 20 vjeç e pjesëtuar me dy. Pra, nëse një person është 35 vjeç, i hiqen 20 vjet. Diferenca e pjesëtuar me dy, jep periudhën që personi duhet të jetë i siguruar.

Kushtet për të marrë pension invaliditeti përcaktohen nga KMCAP-i, pranë të cilit kanë të drejtë të paraqiten të gjithë ata persona që pretendojnë se kanë humbur plotësisht apo pjesërisht aftësinë për punë. Këta persona kanë të drejtë të paraqesin pranë organeve të sigurimeve shoqërore të qendrës së banimit apo të punës, kërkesën për të vlerësuar gjendjen e tyre shëndetësore në raport me punën që kanë bërë. Statusi i tyre riciklohet në mënyrë periodike, një herë në vit, në mënyrë që të bëhet i mundur kontrolli i gjendjes së tyre.

Mënyra e përcaktimit

Pensionet e invaliditetit ndahen në dy grupe të mëdha, në të plotë dhe në të pjesshëm. I pari ndahet në të plotë me përkujdesje dhe në të plotë. Përcaktimi bëhet nga KMCAP-i.

Masa e përfitimit

Pensioni i plotë i invaliditetit përllogaritet njëlloj si pensionet e pleqërisë, por, nëse për këto përllogaritje bëhen në bazë të pagës neto të 3 viteve radhazi të 10-vjeçarit të fundit, dhe kushti është jo më shumë se 75% e kësaj page, për invalidët kjo përllogaritje ndryshon. Për këtë kategori, kushti është jo më shumë se 80% të pagës neto të një viti.

FORMULARI

Dokumentet që kërkohen për përfitim pensioni invaliditeti

-Certifikatë e gjendjes familjare.

-Certifikatë personale me fotografi.

- Librezë pune.

- Vërtetim vjetërsie.

- Vërtetim kooperative (nëse ke punuar në kooperativë).

- Vërtetim për derdhje kontributi.

- Vërtetim nga dega ushtarake.

- Vërtetim i KMCAP-it (Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë).

- Vërtetim page që nga viti 1994 dhe në vazhdim.

- Vërtetim nga kontributet.

- Proces-verbal i aksidentit në punë, në rast aksidenti.

- Vërtetim toke nga Kadastra.

- Për personat që përfitojnë kompensime duhet:

-Vërtetim nga komuna për ndihmë ekonomike.

-Vërtetim shkolle për fëmijët nga 18-25 vjeç.

-Deklaratë.

Çdo 2 vjet të punësuarëve do t’u dërgohet informacion mbi derdhjet e kontributeve në emrin e tyre

Çdo i punësuar me numër personal sigurimi

Tashmë, çdo i punësuar do të ketë numrin e vet të sigurimeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe do të jetë në dijeni të kontributit të derdhur aty. Deri tani punohej sipas listëpagesave të firmave. Pra, nëse një firmë ka 10 punonjës të siguruar, në Institut kishte 10 numra sigurimi dhe nëse ikte një punonjës nga puna, po në atë numër derdheshin sigurimet për të punësuarin tjetër, sigurisht në emrin e tij. Por, në këto kushte ishte i vështirë monitorimi. Ndërkohë që firmat private rrinë dhe me muaj të tëra pa derdhur siguracionet e punonjësve, apo megjithëse punonjësit i mbahet 11.7 për qind nga rroga, këto para nuk derdhen fare. “Shumë qytetarë kanë ankesa se punëdhënësit abuzojnë me kontributet e tyre. Të paktën tani do të kenë mundësi të dinë se për sa kohë dhe në cilën kuotë janë derdhur siguraione për ta”, shpjegon ministri Engjëll Bejtaj. Që në fillim të këtij viti ka nisur automatizimi i listëpagesave të kompanive dhe institucioneve dhe kalimi i tyre te Tatim-Taksat, ndërsa numrat e sigurimit, borderot individuale do të gjenden tek ISKSH-ja. “Çdo dy vjet çdo punonjësi do t’i jepet gjithë informacioni mbi derdhjet e kontributeve që janë bërë te numri i tij i sigurimit. Ky zarfë do të dërgohet në adresën e firmës ku punon, ose në adresën e shtëpisë, ende nuk është vendosur përfundimisht. Zarfi do të jetë i mbyllur dhe do të dërgohet në emrin e punonjësit”, shpjegon drejtori i ISKSH-së, Ilir Beqja. Në vitin 2006, do të nisë procesi i shpërndarjes së informacionit, pra dërgimi zarfave. Kështu, çdo punonjës do të jetë në dijeni mbi kontributet e derdhura dhe për kohën në të cilën janë derdhur kudo ku ka punuar.

Ja metodika e re e llogaritjes së pensionit për ish-kooperativistët dhe ata që punojnë në bujqësi. Pas 7 vitesh barazohen pensionet e fshatit me ato të qytetit

Ish-koopertivistët, jo më pension minimal

Përveç pensionit bazë dhe një shtesë e përvitshme sa 1% e pagës minimale

Ish-kooperativistët, që do të dalin rishtas në pension Do të përfitojnë rreth 4.1 mijë lekë të reja. Deri tani një person që kishte punuar në ish- kooperativat bujqësore edhe pse kontribuonte në skemën e re të sigurimeve shoqërore, mund të merrte një pension minimal fshati, i cili nuk ishte më i madh se 20% e pensionit të qytetit. Reforma e re e miratuar përcaktoi metodikën e re për llogaritjen e një pensioni për personat e vetëpunësuar në bujqësi, i cili tani, njëlloj si pensioni i zonës urbane, përbëhet nga dy pjesë, nga një pension bazë (fshati), i cili përcaktohet nga Këshilli i Ministrave dhe nga një shtesë e cila përllogaritet 1% e pagës minimale për çdo vit që personi ka kontribuar në skemën e sigurimeve shoqërore. Në bazë të kësaj llogaritjeje të indeksimit të përvitshëm të pensionit bazë të fshatit, mbështetur në një pagë minimale, e cila rritet për cdo vit, do të arrihet barazimi i këtyre pensioneve rurale me ato të qytetit në vitin 2012.

Për të përfituar pension të plotë ish-kooperativistët duhet të plotësojnë dy kushte: të parin e fitojnë apriori, pasi quhen të siguruar për periudhën që kanë punuar në koperativë gjatë kohës së socializmit, ndërsa kushti i dytë është që pas viteve ’90 të kenë qenë të siguruar për të paktën gjysmën e periudhës.

Mbi bazën e kësaj metodike të re, një person që ka punuar në ish- kooperativat bujqësore dhe ka kontribuar në skemën e sigurimeve shoqërore rregullisht qysh nga viti 1994 e në vazhdim si person i vetëpunësuar në bujqësi, në vitin 2004 do të përfitonte një pension bazë fshati prej 2590 lekë në muaj dhe me një shtesë prej 1034 lekësh. Në total kjo shifër shkon në 3264 lekë. Ky pension përfaqëson rreth 54% të pensionit minimal të qytetit. Shtesa e pensionit të fshatit përllogaritet 1% për cdo vit kontribuimi ndaj pagesës minimale që aktualisht është 10343 lekë, pra: 10343 shumëzuar me 1% shumëzuar me 10 vjet = 1034 lekë. Pas datës 1.7.2004, kur u bë rritja e fundit, kemi një pension fshati 2978 lekë si dhe një shtesë pensioni për 1140 lekë, gjithësej 4118 lekë ose 38% më shumë se pensioni bazë.

Nga politikat e ndjekura është bërë e mundur që një pensionisti që ka kontribuar që nga viti 1994 të përfitojë pensionin maksimal dhe jo atë minimal.

Kështi sipas të dhënave të INSTAT-it, aktualisht janë rreth 720 mijë persona të vetëpunësuar në bujqësi. Më shumë se 70 për qind e të punësuarve dhe e të vetëpunësuarve në fshat nuk janë të siguruar në Institutin e Sigurimeve Shoqërore apo shëndetësore. Ata nuk kanë të drejtë të marrin pension pas moshës së pleqërisë. Ky është një ndër problemet më të mëdha të Institutit të Sigurimeve.

Më 2007 zhduket diferenca mes pensioneve të para ‘93 me ato më pas

Së shpejtipritet të miratohet një tjetër rritje e pensioneve për të kryer barazimin e pensioneve të atyre që kanë dalë në pension para viteve ’93 me ata që kanë dalë më pas. Ministri Bejtaj ka siguruar se në 2007 nuk do të ketë më diferenca në lekë mes pensioneve para dhe pas 1993.

Faza e fundit për barazimin e këtyre pensioneve kushton rreth 400 milion lek. Sipas ministrit të Punës dhe Cështjeve Sociale buxheti i 2005 është një hap më tepër në ngushtimin e diferencës mes pensioneve para 93 dhe të tjerët që janë përfituar pas këtij viti. Pra është parashikuar që në këtë buxhet që të mundësohet zvogëlimi i kësaj diference dhe barazimi i tyre për shkak të derdhjes së kontributeve. Deri tani janë aplikuar katër faza, por që nuk kanë mundur ta mbyllin komplet ciklin e këtij procesi.

Për këtë arsye është parë e arsyeshme nga ana e ministrisë së Punës edhe realizimi i një faze tjetër, fatura financiare e së cilës arrin në 400 milion lekë.

Si llogaritet pensioni i ish-kooperativistit

Për personat që kanë punuar në ish-kooperativa

Sipas specialistëve raste të tilla i parashikon neni 96 i ligjit “Për sigurimet shoqërore” . Sipas tij për të përfituar pension në kushte shteti, duhet që personi i interesuar të plotësojë vjetërsinë në marrëdhënie me shtetin, jo më pak se gjysmën e periudhës që është përcaktuar në nenin 92. Përveç vjetërsisë në punën e shtetit duhet të plotësohet dhe mosha për të përfituar pension pleqërie. Kështu nëse një person është i datëlindjes 10.04.1943, ai duhet të ketë moshën 61 vjeç dhe 34 vjet punë gjithsej. Kështu që nga përllogaritjet e bëra del se për të përfituar pension shteti ky person duhet të ketë punuar në punë shteti të paktën për 17 vjet.

Ku duhet të drejtohet një fermer që kërkon të hyjë në skemë

Për të përfituar nga kjo skemë fermeri duhet të dorëzojë në degën e sigurimeve shoqërore vërtetim nga kadastra e rrethit se ai ka nën pronësi këtë sipërfaqe toke dhe që mbi të ushtron veprimtari bujqësore. Për këtë të fundit bëhen dhe verifikime në mënyrë që të shmanget çdo llok abuzimi. Më pas personi i interesuar bën derdhjen e kontributeve në degën e sigurimeve shoqërore të rrethit përkatës.

49.2 miliardë lekë ose 50 për qind rritje fondi i pensioneve të qytetit. Pas vitit 2001 deri tani, fondi ishte 33 miliardë lekë

8 miliardë lekë ose 100 për qind rritje fondi i pensioneve të qytetit

2 miliardë lekë për secilën nga katër fazat e ngushtimit të diferencave mes pensioneve

215 milionë lekë pensionet e invalidëve të punës

1 miliard lekë fondi i shtesës për ata që kanë statusin e veteranit

350 milionë lekë fondi shtesë për ata që janë familje dëshmori

40 milionë lekë pensione të posaçme për rreth 300 veta, artistë dhe shkencëtarë

1.5 milionë lekë pensione suplementare për ushtarakun

450 milionë lekë për minatorët

120 milionë lekë ish-punëtorët e ndërmarrjeve ushtarake

34 milionë lekë

fondi për pensionet e ish-pilotëve

Numri i pensionistëve është dyfishuar

Një prej faktorëve që pensionet nuk mund të rriten shumë ndjeshëm është dhe fakti që numri i pensionistëve është dyfishuar krahasuar me vitet ’90. Kështu në vitin 1992, numri i pensionistëve ka qenë 240 mijë vetë. Në vitin 1994 u shtua me 340 mijë pensionistë dhe, aktualisht, kemi 450 mijë. Duke qenë se u rrit mosha e daljes në pension, në vitin 2030 do të kemi po kaq pensionistë, por, ndërkohë dhe rritja ekonomike do të jetë e tillë, sa që pensioni do të jetë mëse i mjaftueshëm për të përballuar jetën.

Eshtë zgjatur jeta e shqiptarëve

Thonë shumë që të moshuarit mund ta gëzojnë këtë pension vetëm 7 vjet, pasi dalin në pension në moshën 65 vjeç dhe jetëgjatësia mesatare është 72 vjeç. Por, sipas INSTAT, jetëgjatësia mesatare për meshkujt është rritur në 78 vjeç, ndërsa për gratë jetëgjatësia është rritur në 81 vjeç.

Në vjetërsinë në shërbimin aktiv përfshihen:

Koha e shërbimit të përhershëm (oficer, nënoficer, ushtar, profesionist/ me

pagesë).

Koha e ndërprerjes së karrierës, për shkak të një urdhri a vendimi të padrejtë, të deklaruar me vendim gjykate.

Koha e plotë e vuajtjes së dënimit ose internimit për motive politike, pas titullimit si ushtarak i shërbimit aktiv të përhershëm, ku përfitohet sipas ligjit; Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë dhe kur kanë jo më pak se 5 vjet në strukturat e Forcave të Armatosura.

Koha gjatë së cilës ushtaraku ka shërbyer në strukturat e Ministrisë së Rendit

Publik apo Shërbimit Informativ të Shtetit.

Sigurimi i të sëmurëve dhe shpërblimi

Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm, për kohën që për arsye shëndetësore,

bëhet i paaftë për punë, merr përfitime suplementare. "Masa e përfitimit suplementar për paaftësi të përkohshme në punë llogaritet mbi pagën mesatare ditore neto të muajit të fundit kalendarik të shërbimit. 20 për qind nga dita e pesëmbëdhjetë e paaftësisë e në vazhdim: 10 për qind për periudhën e shtrimit në spital, kur ka persona në ngarkim.

Kur paaftësia e zakonshme zgjat deri në 14 ditë, ushtaraku përfiton pagën e

plotë neto të muajit të fundit kalendarik të shërbimit. Ushtaraku, sipas përcaktimit të bërë nga komisioni mjekësor ushtarak, pranë Spitalit Universitar Qendror Ushtarak dhe situatat operacionale, gëzon të drejtën e parandalimit për sëmundje. Ministri i Mbrojtjes, me udhëzim përcakton rastet, procedurat dhe kriteret përkatëse për zbatimin e këtij neni", thuhet në vendimin e marrë me konsensusin e të gjitha forcave.

Në skemë përfshihen dhe të shkarkuarit nga viti ´92-´98

Deputetët kanë vendosur dje që nga skema e përfitimit të pensionit suplementar të përfitojnë dhe ushtarakët që janë liruar prej reformave në vitin 1992 deri në vitin 1998. efektet financiare në Buxhetin e Shtetit do të jenë 1.5 deri në 2 miliardë lekë. Kontributet shoqërore për këtë vendim do të mbulohen tërësisht nga Buxheti i Shtetit. Në amendamentin e shtuar gjatë seancës parlamentare thuhet se "periudha 01.07.1992 deri 31.12.1998 për ish-ushtarakët e dalë në reformë të njihet periudhë sigurimi për efekt pensioni të plotë pleqërie. Kontributet për këtë periudhë të derdhen nga Buxheti i Shtetit në bazë të pagës referuese të indeksuar nga momenti që ka lindur kjo e drejtë". Iniciuesi i këtij ndryshimi, Taulant Dedja, tha se një vendim i tillë do të jetë falenderimi më i mirë i Shqipërisë ndaj ushtarakëve. Propozimi është miratuar nga të gjithë deputetët që ishin prezent në seancë, ndërsa është mbështetur dhe nga përfaqësuesit e ushtarakëve në rezervë, të cilët e kanë ndjekur seancën gjatë të gjithë kohës. Në amendament parashikohet dhe indeksimi i këtyre pensioneve dhe ndarja sipas gradave. Sipas ligjeve aktuale, një kolonel i dalë në pension në vitin 1993 merr pension më pak se një kapterr, që ka dalë në pension në vitin 2004. Ndaj është parë e nevojshme që të indeksohet paga e marrë si referim për vendosjen e pensionit. Dhe ky nen ka marrë mbështetjen e deputetëve.

Skema

Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është 50 për qind e

pagës mujore.

Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, mbi përcaktimin e mësipërm, masa

e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mujore.

Masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se 70 për qind e

pagës mujore.

Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndëpritet kur ushtaraku përfitues

rikthehet në shërbimin aktiv.

Periudha, për të cilën ushtaraku përfiton pension të parakohshëm për vjetërsi

shërbimi njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pensioni të plotë

pleqërie

Përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit, si ushtarak, në masën 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt dhe kanë mbushur moshën 44 vjeç, femrat dhe 47 vjeç meshkujt.

Pagat në rast të shkarkimit nga puna

Kuvendi ka parashikuar marrjen në mbrojtje të ushtarakëve në rast se lirohen nga detyra prej reformave të ndryshme. "Ushtaraku, që pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nxirret në rezervë apo lirim dhe ka mbi 5 vjet shërbim në Forcat e Armatosura, merr shpërblim në masën e dy pagave bazë për gradë, sipas viteve të shërbimit, si shpërblim të menjëhershëm dhe pas këtij shpërblimi merr pagesë kalimtare, në masën 50% të pagesës që ka përfituar në çastin e daljes në rezervë apo lirim, për dy vjet". Por në këtë vendim është përjashtuar rasti kur ish-ushtaraku punësohet në një tjetër vend. "Në rast punësimi gjatë kësaj periudhe, masa e pagesës kalimtare të jetë deri në kompensimin e pagës, mbi të cilën është llogaritur kjo pagesë", thuhet në ligj. Shpërblimi do të cilësohet si periudhë e siguruar, ndërsa kontributet do të përballohen tërësisht nga shteti. "Periudha e trajtimit me pagesë kalimtare njihet si periudhë sigurimi. Kontributi për këto kategori përballohet nga buxheti i shtetit dhe derdhet mbi bazën e pagës, mbi të cilën është llogaritur pagesa kalimtare, por, për çdo rast, brenda kufijve të pagës minimale dhe maksimale, të indeksuar në koeficientët përkatës sipas viteve", thuhet në ligj.

Llojet e përfitimit

-përfitim suplementar, për paaftësi të përkohshme në punë e shërbim;

-parandalim për sëmundje;

-pagesa kalimtare, kur nxirren në lirim/rezervë;

-pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi;

-pension suplementar, mbi pensionin e plotë të pleqërisë;

-pension suplementar invaliditeti;

-pension suplementar invaliditeti për ushtarakët, që për shkak të detyrës bëhen

plotësisht të paaftë;

-pension suplementar familjar;

-pension suplementar familjar për ushtarakët, që për shkak të detyrës humbasin

jetën;

-pagesë suplementare në rast vdekjeje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›