E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligj për përgjimin e policisë

27/04/2005  Shërbimi i kontrollit të brendshëm do të hetojë telefoninë, e-mailet dhe aspekte të tjera

Komisioni i Ligjeve sugjeron ndryshime në ligjin bazë për telekomunikacionet

Forcat e Rendit dhe oficerët e policisë do t'i nënshtrohen hetimit të plotë prej shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, duke mos përjashtuar as përgjimet. Në projektligjin e paraqitur së fundi në komisionin e Sigurisë Kombëtare, SHKB-ja do të marrë të drejtat e policisë gjyqësore. Në këtë mënyrë të dhënat e marra nga përgjimet, që do të bëhen prej SHKB-së do të përdoren si provë në gjyq. Por, kjo është kundërshtuar prej komisionit të Ligjeve, i cili ka kërkuar ndryshimin në ligjin bazë të përgjimeve. Megjithatë, hetimet e telefonisë, apo dhe të e-mailit, do të bëhen vetëm në rast se do të merret urdhëri prej Prokurorit të Përgjithshëm, që mbetet personi i vetëm që urdhëron përgjime të tilla.

Vendimi

Sipas draftit të paraqitur në Kuvend, objekti i punës së këtij shërbimi do të jetë parandalimi, zbulimi dhe dokumentimi i veprimtarisë kriminale, që kryhet nga punonjësit e Policisë së Shtetit dhe të strukturave të tjera të ministrisë së Rendit Publik, si dhe të shkeljeve të tjera të parashikuara në aktet nënligjore. Gjatë hetimeve në veprimtarinë e vet SHKB-së është i detyruar që të zbatojë dhe detyrime të tjera ligjore, të parashikuara në ligjin për përgjimin e telekomunikacioneve. Në këtë mënyrë saksionohet se, është kreu i institucionit përkatës, që kërkon nisjen e hetimeve. Kërkesa i paraqitet Prokurorit të Përgjithshëm, që jep lejen për përgjimet përkatëse. Pas kësaj një anëtar i SHKB-së do të vendoset në ambientet e SHISH-it, ku është aparatura e përgjimit. Vetëm të dhënat që do të jepen prej përgjuesit, që ka rolin e policisë gjyqësore, do të përdoren si prova në gjykatë.

Hetimi

"Në fazën e verifikimit dhe të hetimit paraprak SHKB-ja ka të drejtë të kryejë veprime operacionale të veçanta, të mbledhë, të administrojë, të ruajë dhe të verifikojë të dhënat për veprimtari kriminale, si dhe për shkelje të tjera të ligjit që cënojnë normalitetin e veprimtarisë, kur ato kryhen nga punonjës të Ministrisë së Rendit publik dhe të organeve vartëse të saj", thuhet në propozim. Ndërsa në argumentimin e kërkesës, specialistët e qeverisë janë shprehur se propozimi ka ardhur si rrjedhojë e nevojës për saktësimin e kompetencave të SHKB-së. Propozimi ka gjetur mbështetjen e komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe të Ligjeve. Ndërsa, çështja më e debatueshme ka qenë fakti nëse ky ligj ka konflikt me përgjimet apo jo. Sipas komisionit të Ligjeve, përgjimi nga SHKB-ja përbën shkelje të ligjit të përgjimeve. Ndaj dhe është kërkuar që një përcaktim i tillë të jetë në këtë ligj dhe jo në kompetencat e SHKB-së. Sipas tyre një ndërhyrje e tillë, duhet të vendoset në ligjin bazë, për të pasur në këtë mënyrë dhe zbatim korrekt të kushtetutës.

Shpërblime të veçanta për bashkëpunëtorët e SHKB-së

Ministria e Rendit Publik do të ketë një fond të veçantë për veprimtarinë e hetimit të forcave të rendit. Në të gjitha rastet fondi i veçantë do të kontrollohet prej ministrit të Rendit, i cili ka detyrën për të dhënë urdhërat mbi hetimet paraprake. "Për kryerjen e kësaj veprimtarie do të ketë një fond të veçantë të parashikuar në ministrinë e Rendit Publik", thuhet në projektligj. Gjithashtu është parashikuar që në raste të caktuara të ketë dhe një bashkëpunim me persona jashtë forcave të Rendit apo të SHKB-së. Në të gjitha rastet veç ruajtjes së identitetit do të ketë dhe një shpërblim të veçantë. "Personat që bashkëpunojnë me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, shpërblehen nga fondi i veçantë. Kriteret për dhënien e shpërblimit jepen me urdhër të ministrit të Rendit Publik", thuhet në ligj. Për këtë pikë ka pasur një sërë diskutimesh në komisionin e Sigurisë Kombëtare. Përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar që në këtë rast të mos jetë ministri kontrolluesi kryesor, por kompetencat të shpërndahen dhe më gjerë. Gjithsesi për këtë nuk ka pasur ndryshime. Madje dhe në komisionin parlamentar të Ligjeve, është dhënë mbështetja përkatëse. Drafti do të kalojë për votim në seancën e ditës së enjte. Specialistët e ministrisë së Rendit në sqarimet, që kanë dhënë janë shprehur se amendamentet e komisionit të Sigurisë Kombëtare janë vlerësuar si të domosdoshme nga deputetët, ndaj dhe nuk kanë asnjë kundërshtim për to.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›