E Diel, 1 Nëntor 2026

Partitë dhe 35 ditë afat për të dorëzuar kandidaturat

27/04/2005  KZZ do të presin deri në 1 qershor

Partitë politike kanë dhe 35 ditë afat për të dorëzuar në Komisionet Zgjedhore Zonale emrat e kandidatëve për deputet. Sipas Kodit Zgjedhor: "dokumentacioni për paraqitjen e kandidatëve për deputet, kryetar bashkie ose komune, apo për këshillin e bashkisë ose të komunës, dorëzohet përkatësisht në KZZ ose, sipas rastit, në KZQV jo më vonë se 32 ditë para datës së zgjedhjeve. Komisionet përkatëse verifikojnë saktësinë e dokumentacionit të paraqitur jo më vonë se 30 ditë para datës së zgjedhjeve". Në këtë mënyrë, duke parë se zgjedhjet do të zhvillohen në datën 3 korrik, partitë janë të detyruara që deri më 1 qershor të dorëzojnë zyrtarisht emrat dhe të dhënat për ta. "Nëse komisionet vërejnë mospërputhje ose parregullsi në dokumentacionin e kandidimit përpara mbarimit të afatit të vërtetimit të tyre, komisioni i jep kandidatit mundësinë për t’i korrigjuar mospërputhjet ose parregullsitë, duke përcaktuar afatin për riparaqitjen e dokumentacionit, por jo më vonë se 28 ditë para datës së zgjedhjeve. Komisionet përkatëse marrin vendim brenda 24 orëve për pranimin ose mospranimin e dokumentacionit të riparaqitur", thuhet në Kod. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhe 10 ditë kohë për të publikuar formularët që duhet të plotësojnë kandidatët për të marrë të drejtën e kandidimit. Megjithatë, duket se partitë politike janë në pritje të vendimeve të kundërshtarëve për të shpallur zyrtarisht kandidaturat. Deri më tani vetëm pak konkurrentë janë prezantuar në degët e tyre. Kurse partitë do të kenë dhe një muaj në dispozicion për të paraqitur të dhënat përkatëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›