Dosjet midis politikës dhe moralit
Partia e Ballit Kombëtar Demokrat mbështet ligjin për hapjen e dosjeve, edhe pse ai është i paplotë dhe i cunguar në spektrin e veprimit të tij. Veprimi i efekteve të këtij ligji edhe mbi hetuesit apo ndihmës-hetuesit, prokurorët apo ndihmësprokurorët, gjyqtarët apo ndihmësgjyqtaret e angazhuar në proceset politike të diktaturës është përmbushje e një kërkese që ne e kemi promovuar në lidhje me këtë çështje. Gjithashtu penalizimi i anëtarëve të Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, i denoncuesve apo dëshmitarëve të rremë në proceset politike, e rrit autoritetin e këtij ligji, por efekti do të ishte më i plotë dhe më human në rast se në këtë kategori do të futeshin edhe autorët e terrorit dhe dhunës se paprecedentë në burgjet komuniste.
Ngjarjet që kanë ndodhur në këto burgje i thyejnë kufijtë e përrallave dhe të legjendave që popujt kanë transmetuar gojë me gojë gjatë gjeneratave të ndryshme. Ju keni dëgjuar për viktimat e hordhive të verdha të valuara nëpër kazanë me ujë, kini dëgjuar për kryqëzime romake, për murosje kineze, për tmerre staliniste apo krime spanjolle. Por atë që kanë mundur të shohin me sytë e tyre të dënuarit politikë shqiptarë nuk ka imagjinatë që ta përshkruajë. Një veprimtar nacionalist që kryente dënimin në Spaç tregon një episod makabër. Prej dy ditësh një i dënuar si pasojë e dhunimeve fizike kishte vdekur. Kufomën e tij e kishin lënë në korridorin e birucave. Natën vonë, një kope policësh hyjnë në oborrin e birucave dhe fillojnë të tallen me viktimën, qe kishte filluar të dekompozohej. Njëri prej tyre nxjerr thikën dhe fillon t’i presë kokën të vdekurit pa gjak. Ky xhahil e pret kokën, e hedh në tokë dhe i fton shokët të luajnë futboll me të! Ka gjest më kriminal, më antinjerëzor, se t’i presësh kokën një të vdekuri?!
Të gjitha këto monstruozitete makabre nxiteshin nga “komisarët e burgjeve”, cinizmi i të cilëve i kalonte kufijtë e arsyes dhe të mundësive përfytyruese të njerëzimit. Emrat e tyre dihen, kanë emrat në librat e personelit të burgjeve, shumica e të cilëve janë gjallë, por askush nuk merret me ta. Nuk është ngritur madje asnjë padi ndaj tyre, edhe pse denoncime të shumta janë depozituar menjëherë pas daljes nga burgu të ish–burgosurve politikë. Në burgjet e diktaturës kanë ndodhur edhe rrahje për motive perversiteti, gjymtime fizike për këto motive, lloj-lloj aktesh të rënda kriminale, por asnjë akt ligjor nuk është formuluar për të lehtësuar ndërgjegjen e atyre që kanë qenë viktima e tyre. Burgjet në Shqipëri kishin edhe mjekë të tillë, qe auditorëve ku janë diplomuar do t’u vinte turp e do të skuqeshin po të mësonin fundet e diplomave që kishin firmosur. Ata ishin ndër veglat më të bindura të Ministrisë së Brendshme, me firmën e të cilëve janë justifikuar dhjetëra vdekje të shkaktuara nga dhunimi policor. Përse të mos hapen dosjet edhe për këta njerëz të tillë, që ishin pjellë e skëterrës dhe kanë shkaktuar vuajtje të papërfytyruara?
Në Shqipëri janë persekutuar jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët! Ku janë dosjet e këtyre persekutorëve sidomos të ish-komandantëve të qarqeve në vitet e para pas luftës? Mes mijëra fenomenesh të shëmtuara po përmendim vetëm një: Në vitin 1945, kur në Shqipëri zhvilloheshin gjyqet famëkeqe, në qytetin e Vlorës ndodh diçka e dhimbshme dhe e turpshme, e shëmtuar dhe heroike.
Në një seancë gjyqësore 15 burra dënoheshin me pushkatim. Midis tyre një djalë 7-vjeçar. Kur u dha vendimi dhe të dënuarit i vunë para për t’i çuar në vendin e ekzekutimit, djali vlonjat i qepet mbrapa skuadrës se pushkatimit, duke bërtitur “babai im, babai im!”. Ai thërriste dhe lotët e pafajësisë i lanin faqet e ndotura nga pluhuri. Atë çast komandanti i qarkut të Vlorës, një farë Toto Zani, nxjerr koburen nga brezi i tij i rënduar me krime dhe qëllon atë fëmijë! E ndërsa viktima bie e mbytur në gjak, komandanti i Qarkorit fut pistoletën qetësisht në këllëf.
Subjekte krimesh në Shqipëri ka shumë. Askush nuk i justifikon dot praktikat e ndëshkimet pa faj, të tmerreve dhe të vdekjeve. Në varret e burgjeve numërohen mbi 40 mijë të vdekur. Gjithsesi, hapja e dosjeve për të gjithë do të thotë krijimi i një qytetarie më vepruese, ringjallje e demokracisë.
Ky akt krijon një drejtpeshim midis simbolizimit dhe mendimit të thellë të së shkuarës, si dhe kërkesave të së tashmes, nga e kaluara e karakterizuar, nga paragjykime dhe nga ndjenja e kufizimit drejt qëllimeve të reja dhe kuptimit që duam t’i japim bashkësisë dhe qëllimeve tona integruese. Për ironi të fatit, edhe socialistet kërkuan hapjen e dosjeve! Kjo është vetëm demagogji, pasi dihet që një pjesë e lidershipit të majtë është e inkriminuar. Ajo ende nuk ka vullnetin për të dënuar krimet e komunizmit. Ata kërkojnë kompromis me mazhorancën për të përjashtuar nga hapja e dosjeve sekretarët e parë dhe ministrat, që do të thotë udhëhiqet akoma nga ideologjia e tyre dhe nuk ka shkëputje nga e kaluara në mënyrën e sjelljes ndaj demokracisë.
Kjo është e pafalshme edhe nga mazhoranca. Ajo nuk duhet të tolerojë në këtë pikë.
Lind natyrshëm pyetja: A do të laicizohet me të vërtetë politika pas hapjes së dosjeve? Për të hyrë në Evropë në bashkimin e lirisë, për të planifikuar një të ardhme pa komplekse, për të integruar mendjet dhe idetë, për t’u lidhur me fatet historiko-botërore, duhet të dënojmë të gjitha shtrembërimet politiko-ideologjike të historisë, të gjitha krimet e frymëzuara nga komunizmi dhe të praktikuara nga shërbëtorët e tij ish–funksionare dhe ish-sigurimsa të devotshëm, që e tejkaluan edhe traditën e urryer të fashizmit. Vetëm kështu komuniteti politik dhe ai ligjor do të sigurojë një politikë me një themel praktik të paqortueshëm, një demokraci me të drejta universale e kërkesave të gjithëpushtetshme dhe me prestigj. Në këtë pikëpamje lipset patjetër një dozë më e tepruar dhe moralit demokratik e kombëtar. Në demokraci askush nuk duhet të jetë i mbrojtur nga pasojat e shkeljeve ligjore që kanë bërë apo mund të bëjnë.
*Kryetar i PBKD-së