E Shtunë, 31 Tetor 2026

BLLOKIMI I TREGUT I SHNDËRRON NË HIÇ REFORMAT

Komisioni parlamentar i Ligjeve ka kaluar për votim në Kuvend ligjin për pastrimin e figurave zyrtare. Përmbajtja e projektligjit ka ngjallur debat politik e publik, ndërkohë që është kundërshtuar fort edhe nga deputetët anëtarë të komisionit. Komenti juaj për ligjin, debatin rreth tij dhe efekteve në politikë, administratë dhe shoqërinë shqiptare?

Sa më shumë kohë kalon nga debati ynë i parë fare mbi këtë çështje, aq më shumë bindem se kjo punë s’ka për të ndodhur kurrë ashtu siç pritet. Edhe në ndodhtë të kalohet një ligj se kështu e do puna, ai s’do të sjellë sipas meje asgjë të re që i bën lavazh kësaj çështjeje dhe sjell dritë të re mbi gjysmerrësirën që mbulon këtë fushë. E them këtë sepse kështu më sugjeron sjellja gati 2-dekadash e faktorëve kyç të kësaj vendimmarrjeje. Nuk më lë përgjigje tjetër. Përkundrazi, debati i dyanshëm (i paevitueshëm gjatë një kohe kaq të gjatë) ka nxjerrë në pah fakte shtesë që e thellojnë skepticizmin tonë mbi vullnetin e këtij formacioni politik të krimbur e kalbur në pjesët kyçe të tij, për t’i hyrë me themel e pa paragjykime një çështjeje të tillë. Njohim tashmë prejardhjen e dedikimin komunist të shumë eksponentëve që sot tundin këmborën e djathtë a të qendrës. Shumica e partizanëve të sotëm të NATO-s dhe integrimit janë betuar dikur “në jetë të jetëve” dhe “në pikën e fundit të gjakut” mbi statutin e kuq të PP-së. Debati i zgjatur na ka dhënë edhe një mundësi shtesë: njohim tashmë thuajse të gjitha pseudonimet që kanë pasur në regjistrat e Sigurimit të Shtetit shumica e eksponentëve të sotëm të vendimmarrjes politike e shtetërore.

***

Me votat e vetëm një krahu, ligji formalisht edhe mund të miratohet. Unë tekstin e tij nuk e kam lexuar. E përse ta lexoj kur kam përpara veprimet e qëndrimet e vetë “të denoncuarve”, të cilëve as që u bën “tërr” syri. Shohim p.sh. se deri më sot as kreu i Parlamentit e askush tjetër nga “elita”, nuk i kanë përgënjeshtruar ato pseudonime. Po as kryesitë, grupet e forumet përkatëse të partive nuk e kanë parë të udhës të ndalen e t’u kërkojnë atyre shpjegime. Shpjegime dhe dorëheqje. Përkundrazi, të gjithë kanë heshtur. I kanë rrëshqitur çdo shpjegimi, mbi pyetjet si ç’është ai pseudonim, si ndodhi që ata “u regjistruan”, si e kryen atë detyrë “të shenjtë” para partisë dhe popullit, sa e ç’njerëz kanë marrë në qafë nën atë rol dhe në fund: si s’kanë turp që vazhdojnë e na shfaqen nëpër podiume; që shijojnë aq të qetë privilegjet shtesë; që mbajnë e përdorin vulat e shtetit; që zgërdhihen e shtrëngojnë duart në emër të të gjithë shqiptarëve jospiunë nëpër kanceleritë e botës. Turp jo e jo, por tani nuk kanë as frikë. Janë qetësuar tek kanë parë se “dosje” kanë njëlloj kupolat e të dy krahëve politikë. Sa majtas, aq edhe djathtas. Sepse tashmë çelësat e asaj arkive i kanë mbajtur të dy palët nga ca vite në qafë. Të dy kanë futur duart. Nuk di sa kanë hequr e ç’dosje mund të kenë “ristrukturuar”. E sigurt ama është që të dy ia dinë mirë “xanxën” njëri-tjetrit. Prandaj them se ky ligj mbi “hapjen”, me këtë formacion politik s’mund të jetë veçse një ligj lustrimi. Tip lustrafini.

Më shumë se çdo gjë, ky debat monoton e nervangritës mbi “dosjet” dhe mbi sistemimin ligjor të kësaj çështjeje, më ngjan me një akuzë. Më mirë, me një vetakuzë direkte për ndotjen e thellë të elitës sonë politike tradicionale, gjë që nuk e lejon atë të “ndajë” asnjë punë.

***

Përdora më sipër shprehjen “t’ia hyjnë me themel”. Këtu nuk dua të krijohen keqkuptime. Nuk është se unë jam për denoncime e demaskime të bujshme e të dhunshme. As për flakje nga punët e kontributet profesionale për të cilat shoqëria mund të ketë ende nevojë. Mos o Zot, nëse e dua këtë. Kur flas për punë “me themel” e kam fjalën për themelet e qarta të vetë ligjit, ku përcaktimet të jenë të qarta, e pa ekuivoke. Që të jenë të tilla ligji duhet të jetë sa më i thjeshtë. Nëse do të gjykosh për sinqeritetin e ligjvënësit në një ligj, kjo duket tek thjeshtësia e ligjit. Pse duhen komplikime të holla e të degëzuara? Pse duhet që ligji të jetë dhjetëra faqesh? Dhe ku pas dhjetëra faqesh ende të mos e marrësh vesh atë kryesoren: nëse u vendos që dosjet të hapen apo të mos hapen.

Shqipëria vazhdon të ketë një diferencë të dukshme me vendet e tjera për çmimet e karburantit, duke detyruar një çmim të lartë edhe për produkte të tjera, kostoja e të cilave kushtëzohet nga karburantet. Ulja drastike e çmimit ndërkombëtar të naftës nuk duket se reflektohet në tregun shqiptar. Cilat janë, sipas jush, arsyet? Po pasojat?

Parashtrimi juaj është një fakt që e shohim të gjithë përditë. Kush ka sy, sado të madh ta ketë numrin e syzeve, e sheh dhe e lexon këtë gjë, sepse së paku, një gjë e kemi arritur në mirëfunksionimin e rrjeteve tregtare të shpërndarjes. Afishimin e çmimeve. Nga ana tjetër, shqiptarët sot lëvizin shumë nëpër botë, ca nga qejfi e ca nga halli. Natyrisht, këta të “hallit” do të ishin shumë më tepër, po të mos i pengonte një hall tjetër shtesë: ata nuk gjejnë dot viza. Hallexhiu shqiptar, ai që kërkon një kontroll të posaçëm për fëmijën e sëmurë, që i duhet t’i gjendet pranë një të afërmi të vet emigrant në një rast që s’pret apo për halle të tjera të ngjashme, e ka ku e ku më të vështirë të marrë një vizë, krahasuar me qejfliun shqiptar, me atë që shkon të pijë verë të shtrenjtë në Baleare, me atë që zhvillon turizmin tonë së prapthi, duke degdisur paratë andej-këndej nëpër botë.

Nejse, se desh dola nga tema. Fjalën e kishim që shqiptarët lëvizin mjaft dhe shpesh pa i hequr duart nga timoni mund të kalojnë nga Shqipëria në Greqi, pastaj në Turqi, marrin një kthesë për në Bullgari, i japin gaz nëpër Maqedoni dhe pas ndonjë nate në Kosovë, hyjnë prapë në rrugët e atdheut, ku siç dihet, vendin e qindra plepave të dikurshëm që bënin fresk e hije, e kanë zënë qindrat e distributorëve të karburantit që të shtojnë vapën, por edhe përqindjen e plumbit në gjak. Do apo s’do pra, bashkëkombasi ynë (tashmë rajonal) është i shtrënguar “të prekë” çmime shumë të ndryshme për të njëjtin mall: litrin e naftës a benzinës. Për paradoks, mu në vendin e vet i kërkojnë të paguajë shumë më tepër se kudo gjetkë. Por çudia e tij lidhet edhe me diçka tjetër. Kjo diferencë negative lidhet vetëm me grupe të caktuara mallrash, jo me të gjitha. Ai p.sh. paguan më shumë në Greqi për bukën, vezët e djathin, për birrën e paidhaqet, ndërsa paguan 30 për qind më pak për karburantet. “ǒështë kjo punë?” – me të drejtë pyet ai? Të thuash se jemi vend i thatë nga nafta – edhe këtë nuk e themi dot. Një pjesë e mirë e karburantit prodhohet në vend. Të thuash se s’kemi dete e porte për transport e përpunim, se s’kemi depozita mu atje në mes të portit e ngjitur me plazhin (sa edhe jetën e plazhistit e banorit të Durrësit e kemi lënë në dorë të depozitës), edhe këtë s’mund ta themi. Të thuash se cilësia e karburanteve tek ne është më e lartë se kudo gjetkë dhe prandaj ia vlen ta blejmë më shtrenjtë, kjo po as që ka fare b. të qëndrojë. Akcizat? Janë edhe ato, po akciza ka gjithë bota, krejt të krahasueshme me tonat. TVSH-ja? Taksat portuale? Janë dhe ato, sigurisht, po edhe ato i ka gjithë bota. ǒtë jetë atëherë ajo që na jep vërtet një shpjegim të besueshëm se përse ne qytetarët e këtij vendi mes mallkimesh të tjera duhet të na ndjekë edhe një mallkim i tillë i përditshëm aq i rëndë për portofolin e lehtësuar nga shumë shpenzime të tjera që presin rreth e rrotull. Gjysmat formale e gjysmat informate, se duhet të paguajmë edhe bakshishe e “qerasje” nëpunësish. Ndryshe ose s’mbaron për punë ose vonesa e prishja e gjakut të kushton ku e ku më tepër se 500-lekëshi nën dorë. E shikoni pra që dalim thuajse natyrshëm, e thuajse vetvetiu tek situata e tregut – si shpjegimi i vetëm i besueshëm për këtë goditje që marrim nga tregu i karburanteve. Po se mos e marrim vetëm nga karburantet. A nuk jemi ne që paguajmë tarifa dyfish më të larta në telefoninë celulare? Po pandjeshmëria e hapur e tregut të drithërave, miellit e bukës, a nuk flet krejt hapur për këtë? Kërcyen çmimet botërore ca muaj më parë? Fap kërceu thuajse në çast çmimi ynë i drithërave e bukës. Si me sustë. A thua ishte lidhur “on-line” me bursën e drithit. U bë dava e madhe asokohe si për bukën ashtu edhe për karburantin. Të dyja pagesa të pashmangshme, sepse kanë të bëjnë të dyja me ushqimin e përditshëm. Ushqimi për vete dhe ushqimi për automjetin që të çon në punë a të mbaron punë. Pati zëra kritikë e ankesa shoqatash e analistësh, ndërsa vetë qytetari ynë ç’bëri? Atë që bën gjithmonë prej shumë dekadash: fillimisht bëri pak “politikë” në ato emisionet me telefonata apo anketime trotuaresh që bëjnë ato gocat stazhiere të disa TV-ve. Pas kësaj (pasi “u shkarkua” pra dhe “shpëtoi shpirtin”) qytetari ynë mori frymë thellë dhe... rënkoi. Rënkoi dhe pagoi. Ndërsa importuesit e naftës e karburanteve, sërish me fitime në rritje. Si në rastin kur bursat kërcyen, ashtu edhe në rastin kur ato ranë.

***

Shpjegimi nuk është shumë i vështirë. Le që atë na e jep në trajtën më të qartë raporti serioz që kemi përmendur më parë. Ai mbi konkurrueshmërinë globale. Atje shohim qartë se vërtet në treguesit e përgjithshëm të konkurrueshmërisë paraqitemi mjaft dobët (thjesht të fundit në rajon), por ama ka disa tregues të caktuar ku jemi fare për ibret. Mes tyre “shkëlqejnë” pikërisht treguesit e Eficiencës së Tregut, domethënë ata që tregojnë sa i lirë është në të vërtetë tregu ynë... i lirë, sa i përket konkurrencës dhe barazisë së shanseve të të gjitha subjekteve në treg. Barazisë së të vegjëlve me të mëdhenjve, të kompanive ekzistuesve me ato që duan të hyjnë rishtas në treg. Jo thjesht të regjistrohen rishtas (se atje ne jemi vërtet shumë mirë, të regjistrojmë në vend!), por të kenë hapësirë neutrale e të pabllokuar nga monopolet dhe oligopolet. Shkurt pra, këta tregues të fundit dëshmojnë se sa funksionon vërtet në tregun tonë ajo “dora e fshehtë”, spontane e neutrale, e Smithit. Ja ç’na thotë raporti më i fundit: Ndërsa në indeksin e përgjithshëm rreshtohemi në vendin 108 (mes 134 vendeve gjithsej), në treguesin “Eficiencë e Tregut” ne shtrëngojmë vendin e 119-të! Po ka edhe më keq. Këta janë nëntreguesit që flasin për situatën monopol të tregut tonë. Në treguesin “Dominim i tregut” (nga monopolet është fjala) ne mbajmë vendin 126. Dhe për më tepër e mbajmë atë qetësisht e pa u merakosur. Përndryshe do kishim marrë masa e bërë ca përpjekje efikase për ta zbutur. Për këtë flet indeksi i “Eficiencës së politikave antimonopol”. Edhe këtu, veten e shohim gremisur. Mu në vendin 125. Gjithnjë mes 134 vendeve gjithsej që garojnë.

A thua ka nevojë për më shumë koment?

Kthimi i Kodit Zgjedhor nga Presidenti ka ngjallur sërish debatin rreth tij. Pozita e ka lënë sërish topin në fushën e opozitës, pasi Kryeministri Berisha deklaroi se mirëpret çdo vendim të një marrëveshjeje te mundshme Rama – Meta. Sa mundësi reale ka arritja e një akordi ndëropozitar për këtë çështje?

Kam frikë se folëm aq shumë për këtë herën e shkuar, sa sot lexuesi mund të na mbyllë faqen. Ajo që mund të shtoja mbi çështjen, ajo pra që në fakt më vjen si një ndjesi e re, është sa më poshtë: që zoti Berisha dhe shumica e komanduar prej tij (sot me teknikat e reja të “e-government”, fare mirë mund të thoshim edhe “e telekomanduar”), nuk duan fare të nxitohen lidhur me zgjedhjet. Deri aty pak përpara mendoja se ato donin të respektonin Kushtetutën dhe t’i bëjnë zgjedhjet brenda qershorit. Fillimisht mendova se u mërzitën me zotin Topi, se ai mund të bëhej sebep për ndonjë shtyrje në shtator a tetor. Tani shoh se ky hall as që ekziston tek zoti Berisha. Ai mund të presë. Mund të presë jo me muaj, por edhe me vite. Deri në 30 vjet, siç la të kuptohej njëherë ai vetë. Fundja, përse të mos presë? A nuk është ai dhe dora e vet në kulm të pushtetit? Le që ç’zgjedhje mund të bëhen në maj e qershor? Qeveria ende s’ka bërë asgjë gati. Në vend të kartave të identitetit duket se ajo ka zgjedhur të mbjellë e të shkundë...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›