E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sanksionet, “gjobë” hajdutëve të tokave



Sipas ligjit, i cili pritet të fillojë zbatimin së shpejti, do të penalizohen me gjobë të gjithë “hajdutët” e tokave si dhe falsifikuesit e dokumenteve. Ligji për verifikimin e titujve të pronësisë parashikon sanksione financiare dhe administrative për të gjithë ata personave që kanë abuzuar me titujt e pronësisë. Sipas ligjit, të gjithë personat që kanë përfituar tokë në mënyrë të paligjshme, duke e zaptuar atë, do të paguajnë një gjobë prej 100 lekësh të rinj për çdo metër katrorë. Ndërsa personat që kanë falsifikuar dokumentet për të përfituar tokë më shumë seç u takon, ose për të përfituar titull të rremë pronësie, do të gjobiten me 50 mijë lekë.
Procesi
Organet e qeverisjes vendore dhe strukturat pranë tyre, brenda juridiksionit, do të ndalojnë çdo zaptim dhe përdorim të tokës, në kundërshtim me këtë ligj dhe aktet e tjera nënligjore, në zbatim të tij. Në rastet e pushtimit të tokës bujqësore në pronësi të shtetit, toka të pandara dhe shtetërore, personat kanë detyrimin e bërjes së denoncimit në zyrat përkatëse. Ndërkohë, pronarët e tokës bujqësore, dhënë në pronësi ose në përdorim personave, fizikë dhe juridikë, që e zotërojnë sipas ligjit, të drejtën e denoncimit e kanë vetë pronarët ose përdoruesit e tokës bujqësore.
Denoncimi
Komisioni vendor, brenda 15 ditëve nga marrja e denoncimit, detyrohet të mblidhet dhe të vendosë për lirimin dhe kthimin e tokës në gjendjen e mëparshme, brenda 5 ditëve si dhe dënimin e kundërvajtësit me gjobë 100 lekë/m2. Kur kundërvajtësi nuk e zbaton në afatin e caktuar vendimin, komisioni njofton zyrën e përmbarimit të gjykatës, në juridiksionin e të cilit ndodhet toka, për ekzekutimin e këtij vendimi. Kur kundërvajtësi banon në juridiksion gjyqësor të një rrethi tjetër, për ekzekutimin e vendimit ngarkohet organi i rrethit, ku banon kundërvajtësi. Zyra e përmbarimit e gjykatës përkatëse detyrohet të ekzekutojë vendimin e komisionit brenda 15 ditëve, duke filluar nga dita e marrjes së njoftimit.
Kundërvajtjet administrative
Projektligji përcakton se disa shkelje të rënda, të cilat nuk janë paraqitur si penale, do të llogariten si shkelje administrative. Shkelje administrative do të cilësohet dhënia e titujve të pronësisë, në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në këtë projektligj, dhënia e titullit të pronësisë për sipërfaqe që nga data 1.8.1991 që nuk figurojnë në regjistrat kadastralë. Shkelje do të cilësohet edhe mosdorëzimi i dokumentacionit të ndarjes së tokës në zyrën e kadastrës të qarkut si dhe mosveprimi në përmbushje të detyrimeve të ligjit. Komisionet vendore vendosin gjobë nga 5 mijë lekë deri në 50 mijë lekë për kundërvajtjet administrative kundër personave dhe strukturave shtetërore, të ngarkuar me ligj për ndarjen e tokës, që janë shkaktare të kundërvajtjeve administrative.
Ankimi
Kundërvajtësi, brenda 5 ditëve nga marrja e vendimit për vendosjen e gjobës nga drejtori i komisionit vendor, mund të bëjë ankim me shkrim te prefekti, i cili shqyrton ankimin dhe brenda 10 ditëve njofton subjektin ankues. Kundër vendimit të prefektit subjekti ankues mund t’i drejtohet, brenda 30 ditëve, gjykatës së rrethit gjyqësor të qarkut. Komisionet vendore kanë të drejtë të bëjnë kallëzim penal në organet e Drejtësisë për shpërdorim të detyrës dhe shpërdorim të tokës, që ka sjellë për pasojë dëmtimin e rëndë të interesave të shtetit ose të shtetasve. Ky kallëzim mund të bëhet kur vërehen dhënie titujsh të mbi sipërfaqe të tjera, që nuk janë objekt i veprimit të këtij ligji apo për dhënie titujsh të që nuk përmbushin kriteret e trajtimit me tokë, ose janë në kundërshtim me kriteret e përcaktuara nga ky ligj.

14 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›