Ligjërohet shpronësimi i Tajvanit
Vendimi, qeveria gjen pengesë në gjykatë nga Bashkia e Tiranës për parkun “Rinia”
Hyn në fuqi vendimi i qeverisë për të shpronësuar parkun “Rinia”, pronë e kompleksit argëtues “Tajvan”. VKM-ja që ka hyrë në fuqi në datën 30 dhjetor, shkaktoi debate të ashpra mes qeverisë, bashkisë dhe pronarëve të kompleksit, të cilët pretendonin se procedura e blerjes së tokës është kryer komfort rregullave ligjore. Megjithatë, edhe pse ka hyrë në fuqi duke u botuar në Fletoren Zyrtare, qeveria nuk mund të procedojë me shpronësimin e truallit, pasi Bashkia e Tiranës e ka ankimuar vendimin në gjykatë, duke ngrirë procesin. Një nga pronarët e kompleksit është shënjestruar nga Kryeministri Sali Berisha për favore me lejet e ndërtimit, në bashkëpunim me kreun e Bashkisë së Tiranës. Qëndrimet e Kryeministrit, pasi u bënë publike, gjetën “zbatim” nga struktura të posaçme shtetërore, duke nxjerrë edhe vendimin e shpronësimit. Në shënjestër të qeverisë janë vendosur edhe biznese të tjera, kryesisht të ndërtimit, për shkak se kanë lidhje interesash me kreun e opozitës.
Vendimi
Në vendimin e datës 11 dhjetor 2009, me propozim të ministrave të Drejtësisë dhe atij të Brendshëm, Kryeministri lejoi kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, pronën e paluajtshme shtetërore, “Lulishte Parku Rinia”, me numër pasurie 7/187, numër kadastral 8380, PQ-11, me numër rendor 619, në listën e pjesshme të inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që janë në juridiksionin territorial dhe administrativ të Bashkisë Tiranë, të Qarkut të Tiranës. Kalimi i kësaj prone nga Bashkia Tiranë, te MPPTT-ja, solli reagimin e kryebashkiakut dhe përfaqësuesve të firmës. Ndërkaq, vendimi vijonte duke përcaktuar se prona e paluajtshme shtetërore, “Lulishte Parku Rinia”, “të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që janë në juridiksionin territorial dhe administrativ të Bashkisë Tiranë, të Qarkut të Tiranës, miratuar me vendimin nr.834, datë 13.12.2006, të Këshillit të Ministrave”. Zbatimin e vendimit Berisha ia ngarkoi ministrit të Brendshëm, ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ministrit të Drejtësisë dhe kryeregjistruesit të Pasurive të Paluajtshme.
Reagimi
Shkak për marrjen e këtij vendimi është bërë pretendimi i shitjes së parkut me çmim tepër të ulët, që nuk përputhej me tregun. Por kompania “Tajvan” deklaron të kundërtën. “Sqarojmë publikun se trualli ku ushtrojmë aktivitetin është ndërtuar në një sipërfaqe 1815 metra katrorë, të blerë nga persona privatë. Kjo blerje është bërë në vitin 2001 dhe më pas e kemi pajisur me leje ndërtimi për 2 kate nëntokë dhe 2 kate mbi tokë. Për sa i përket sipërfaqes prej 1310 metra katrorë, sqarojmë se bëhet fjalë për një shtesë ndërtimi bodrum. Kjo sipërfaqe toke është blerë në përputhje me ligjin përkatës të legalizimeve. Vlera e legalizimit që është paguar është 500 mijë dollarë. Nëse legalizimi do të ishte bërë sot, vlera e legalizimit do të ishte 10 mijë dollarë, pra kemi paguar një shumë 50 herë më të lartë”, ishte reagimi i shoqërisë. Ata hedhin poshtë deklaratat e Ministrisë së Punëve Publike, për favorizim nga Bashkia e Tiranës, duke e mbështetur me faktin se kishin aplikuar për ndërtimin e një godine 20-katëshe për zyra dhe shërbime, ndërkohë që u miratuan vetëm dy kate.
#