Lëvizja Mjaft! ndan ndihma
Emergjenca
Lëvizja “Mjaft!”, në bashkëpunim me një shoqëri private supermarketi, shpërndau dje pasdite në zonat e përmbytura në Shkodër, ushqime, qumësht, pije freskuese dhe veshmbathje. Bëhet fjalë për 4 paleta ushqime të paketuara dhe të konservuara, si dhe 2 paleta me veshmbathje. Ndihma u sigurua nga hipermarketi, dhe nga aktivistë e vullnetarë të “Mjaft!”-it, si dhe qytetarë të Tiranës, të cilët u treguan të gatshëm të solidarizohen me nevojat e qytetarëve të prekur nga fatkeqësia. Ndihmat u shpërndanë në Rrenzë, në periferi të Shkodrës dhe në lagjen e përmbytur “Ajasëm”. Pjesa më e madhe e ndihmave u shpërnda në repartin ushtarak në Rrenzë, ku strehohen 58 familjerome, rreth 250 veta, dhe në 16 familje më në vështirësi në lagjen “Ajasëm”, rreth 60 persona. Prioritet të veçantë iu dha familjeve rome, të strehuara në ambientet ushtarake, duke qenë se përveç ushqimit të përgatitur që u sigurohej nga “Caritas”, nuk kishin marrë asnjë ndihmë tjetër që nga shpërngulja e tyre.
#