E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligjet, përplasje për shkurtimet e shpenzimeve në prokurori e gjyqësor

Debati Opozita kërkon krerët e drejtësisë në raportim, Rusmali nuk pranon

Shkurtimi i buxhetit për pushtetin vendor, shkurtimi i shpenzimeve për gjyqësorin dhe prokurorinë, ka sjellë debate në Komisionin e Ligjeve mes demokratëve dhe socialistëve. Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, ka kërkuar që të jenë të pranishëm në komision dhe përfaqësuesit e këtyre institucioneve, por kërkesa e tij është rrëzuar nga kryetari i komisionit, Ilir Rusmali. Deputeti Tahiri ka këmbëngulur në qëndrimin e tij, duke thënë se me këto shkurtime shpenzimesh që janë bërë në buxhetin e ri të shtetit, janë shkurtuar në kohë paralele edhe 17 mijë vende pune.

Komisioni

Anëtarët e Komisionit të Ligjeve u njohën dje me ndryshimet e bëra nga Ministria e Financave lidhur me projektligjin për buxhetin e vitit 2010. Drejtoresha e buxhetit pranë kësaj ministrie sqaroi se ndryshimet në këtë projektligj synojnë shkurtimet e shpenzimeve qeveritare dhe administrative, me qëllim mbajtjen nën kontroll të deficitit buxhetor, si dhe borxhit publik. Ekspertja e Ministrisë së Financave iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me institucionet dhe sektorët që preken nga shkurtimet operative dhe sa reduktohet buxheti. Në mënyrë të veçantë, përfaqësuesja e Ministrisë së Financave bëri të ditur gjithashtu se nga shkurtimet e shpenzimit të buxhetit nuk është reduktuar fondi i pensioneve, por është kursyer fondi për rritjen e tyre. Nga ana tjetër, ajo nënvizoi se për fondin e kompensimit të ish të përndjekurve politikë, si dhe për fondin e kthimit dhe kompensimit të pronave, janë bërë disa shkurtime, por për këto procese do të përdoren fondet e papërdorura nga viti 2009. Pasi u njohën me ndryshimet përkatëse të shkurtimit të shpenzimeve në buxhetin e vitit 2010, anëtarët e Komisionit të Ligjeve e miratuan atë në parim, ndërsa opozita dha votën e saj kundër. Gjithashtu, Komisioni për çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi e më pas miratoi dy marrëveshje të rëndësishme përkatësisht projektligjin “Për ratifikimin e Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Sllovenisë për Shkëmbimin dhe Mbrojtjen Reciproke të Informacionit të Klasifikuar”, si dhe projektligjin “Për Ratifikimin e Konventës së Qendrës së Zbatimit të Ligjit në Europën Juglindore”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›