Mazhoranca pranon kërkesën e kreut të SHISH-it për buxhetin
Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka miratuar dje në parim buxhetin për Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa buxhetin për vitin 2010 të shërbimit sekret e ka kthyer për rishqyrtim në Komisionin e Ekonomisë. Me 16 vota pro të mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Sigurisë, Shërbimit Informativ Shtetëror pritet t’i mbushet arka me 58 milionë lekë më shumë. Në mbledhjen e fundit me dyer të mbyllura, ku ishte i pranishëm kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, është kërkuar një buxhet më i madh për SHISH-in. Demokratët kundërshtuan duke përdorur motivin se nuk kanë lekë për të rritur buxhetin dhe se qeveria në pesë vitet e fundit e ka rritur buxhetin e SHISH-it në përqindje disa herë më shumë sesa institucionet e tjera. Ndërsa opozita ka mbështetur në këtë rast shërbimin sekret, duke kërkuar rritjen e buxhetit për këtë institucion.
DraftetStrukturat e larta drejtuese të së djathtës janë duke përdorur një strategji të re, e cila synon të shkaktojë ‘rrëmujë’ dhe konfuzion mes deputetëve të të dy krahëve politikë. Projektligji për “Shërbimin Informativ Shtetëror”, i ndryshuar, do të kalojë për votim në seancën e fundit të Kuvendit, ndërsa ajo çka u është dorëzuar anëtarëve të Komisionit të Ligjeve për t’u marrë në shqyrtim është një ligj për kontrollin e SHISH-it. Ky draft është i ndryshëm nga ai që do të kalojë për votim ditën e enjte më 22 korrik, në seancën e parafundit të Kuvendit. Eksperti britanik, i cili ka mbërritur ditën e hënë në Tiranë, është takuar me kryetarin e Komisionit të Ligjeve, dhe pritet të takohet edhe me anëtarët e këtij komisioni. Buxheti, mandati i drejtuesit të SHISH-it dhe kontrolli që Parlamenti do të ushtrojë ndaj mënyrës se si do t’i shpenzojë lekët institucioni i inteligjencës shqiptare, janë në fokus të axhendës së ekspertit britanik.
MandatiMazhoranca do të vendosë një mandat 5-vjeçar për drejtuesin e institucionit të shërbimit sekret shqiptar. Ligji për “Shërbimin Informativ Shtetëror”, i ndryshuar, e ka kaluar tashmë ‘provën’ në Komisionin e Sigurisë dhe pas ‘ngrirjes’ ai është rikthyer sërish në axhendën e punimeve të Parlamentit për miratim në datën 22 korrik. Mazhoranca është treguar dinake, duke e dubluar këtë ligj dhe duke futur në Komisionin e Sigurisë një tjetër ligj për “Kontrollin Parlamentar të Shërbimit të Fshehtë Informativ dhe të Shërbimit të Sigurisë”.
KontrolliLigji për kontrollin parlamentar përcakton subjektin dhe shkallën e kontrollit parlamentar të shërbimeve informative të vendit. Ai përcakton përbërjen, kompetencat, detyrat e tyre dhe mënyrën e punës të njësisë parlamentare për kontrollin e shërbimeve informative të vendit, e cila gëzon autoritetin dhe është kompetente për të kontrolluar shërbimet informative të shtetit, si dhe marrëdhëniet që mbajnë këto shërbime me Kuvendin, me qeverinë dhe ministritë, si dhe me autoritete të tjera shtetërore, me shërbime informative, organizata apo individë.
#