Përplasje me armë te rruga “Bardhyl”, dy në pranga për vrasje
TIRANE – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e të enjtes në rrugën “Bardhyl” në Tiranë. Katër persona të cilët u konfliktuan mes tyre për motive të dobëta kanë shkëmbyer zjarr duke tentuar të vrasin palën kundërshtare, por ndërhyrja e policisë ka dhënë efektin e saj parandalues. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, thanë se ngjarja ndodhi 23:30 në rrugën “Bardhyl” në Tiranë ku katër persona patën një konflikt të ashpër mes tyre për motive të dobëta të momentit. Policia e cila është lajmëruar përmes sallës operative lidhur me ngjarjen, tha se ka arrestuar dy persona, Eudin Toskai, 24 vjeç, dhe Ervin Toska, 28 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë. “Ndaj tyre u realizua kapja dhe është marrë masa e arrestit në flagrancë si autor të dyshuar të ngjarjes, e cila është klasifikuar si vrasje e mbetur në tentativë”, thanë burimet e policisë. Sipas tyre, nga hetimet, rezulton se dy të arrestuarit janë autorë të ngjarjes dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të vrasin me armë 28-vjeçarin Desart Sorra, të cilin fillimisht e kanë goditur me sende të forta dhe më pas (dy vëllezërit autorë të dyshuar) kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të personit, me të cilin ishin në konflikt. Oficerët në vendin e ngjarjes thanë se kanë sekuestruar dy pistoleta të tipit “Valter” dhe një pistoletë tjetër të tipit “TT”, me 6 fishekë, dy granata ofensive, 113 fishekë mod. “54”, si dhe dy këllëfë pistolete.