E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji antiduhan, Tavo rindërton Task- Forcën

Tiranë- Edhe pse u bënë vite nga miratimi i ligjit antiduhan nga qeveria shqiptare, ky ligj vijon të mbetet ende në letër.

Për këtë arsye sapo ka marrë postin e ministrit të Shëndetësisë, Vangjel Tavo ka riaktivizuar Task- Forcën për të marrë masa ndaj subjekteve që lejojnë pirjen e duhanit në ambiente publike.

Sipas Tavos nëpërmjet kësaj Task- Force do të fillojë zbatimi i këtij ligji, si një mënyrë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

“Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se, përhapja e duhanpirjes është një problem me pasoja të rënda për shëndetin publik, që kërkon një reagim efektiv, duke reflektuar shqetësimet e komunitetit rreth pasojave shkatërruese shëndetësore, shoqërore, ekonomike dhe mjedisore të konsumimit të duhanit dhe ekspozimit ndaj tymit të duhanit në mjedise publike”,- tha Tavo.
Kjo Task- Forcë do të ndërmarrë masa edhe ndaj atyre subjekteve që lejojnë konsumimin e alkolit për persona nën 18- vjeç.

Disa muaj më parë Gazeta IDEA ka zhvilluar një investigim mbi zbatueshmërinë e ligjit anti- duhan, por është vënë re se pothuajse në të gjitha lokalet e Tiranës konsumohej duhani. Disa prej subjekteve vijojnë ta mbajnë tabelën që tregon ndalimin e duhanit, por vetë drejtuesit e bareve nuk ndërmarrin asnjë masë, pasi sipas tyre kjo sjell largimin e klientëve.

/IDEA/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›