Mamografia zbulon për një muaj 50 paciente me tumor
Gratë, vizita të shpeshta për kancerin e gjirit.
Emanuela Sako
Mamografia zbulon tumorin te femrat shqiptare që në momentet e para të shfaqjes së sëmundjes. Vetëm për një muaj, nga dy mijë vizita që janë kryer nga pacientet femra për sëmundje të tjera, 50 prej tyre kanë rezultuara të prekura nga tumori. Aparaturat e Mamografisë të ardhura nga Italia, në kuadër të Projektit Interreg 3, ka bërë që gratë shqiptare të tregojnë më tepër kujdes për shëndetin e tyre duke kryer vizita. Përgjegjësi i këtij projekti, specialisti Krenar Preza, sqaroi për gazetën “Albania” se shifrat e lartpërmendura nuk i përkasin vetëm kryeqytetit, pasi aparatura të Mamografisë ndodhen në disa qytete të vendit. Në këto raste, sëmundja është kapur në fazën fillestare të formimit dhe ndërhyrja është më e lehtë. Sipas tij, gratë shqiptare janë sensibilizuar për të kryer vizita të rregullta për shëndetin pa rekomandimin e mjekut. Mungesa e vizitave dhe kryerja e tyre vetëm në rastet kur sëmundja është e avancuar bën që shumica e tyre të jenë në rrezik për jetën.
Mosha
Mamografia duhet të kryhet nga gratë e moshave të mesme, 40 deri 60 vjeç. Gratë në këtë moshë janë më të prirura për t’u prekur nga kanceri i gjirit. Ndërsa te moshat e reja kryerja e vizitës së Mamografisë nuk duhet të jetë e shpeshtë, pasi rrezatimi që ka aparatura është i lartë dhe mund të shkaktojë probleme. Sipas mjekut Preza, kur rastet janë të dyshimta është më profesionale që mjeku t’i orientojë për të bërë një Ekografi sepse rrezatimi është më i ulët. Ndërsa nëse rastet duket se janë të rënduara, atëherë kryerja e vizitës me anë të Mamografisë është e domosdoshme. Kryerja e kësaj vizite është mirë të kryhet një herë në vit. Kjo pasi rreth 2800 persona në vit vdesin nga kjo sëmundje, ndërkohë që raste të të prekurve janë 3500 deri në 4000 femra dhe meshkuj. Shkaktarët kryesorë të tumoreve janë të pranishëm në jetën e përditshme, por jo të pashmangshëm. Faktorët ambientalë dhe ndryshimi i jetesës në vitet e fundit ka bërë që tumoret të shtohen në krahasim me vitet ‘90.
Mamografia
Aparatura e Mamografisë ndodhet edhe në disa spitale të rretheve të tjera të vendit, në mënyrë që të gjitha gratë të kenë mundësinë e kryerjes së vizitave. Spitali i Vlorës, i Shkodrës, i Durrësit dhe i Tiranës e kanë futur këtë shërbim falas dhe të gjitha aparaturat janë në funksion të plotë. Sipas mjekëve, numri i grave që vijnë për t’u vizituar rritet gjithmonë e më tepër. Por ka raste kur ato janë të trembura sepse kanë dëgjuar që aparaturat kanë rrezatime që janë të dëmshme për shëndetin, por falë konsultimit me mjekët përkatës ato i nënshtrohen vizitës.
26 Shkurt 2008