E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani apelon partitë për standardet e zgjedhjeve

02/04/2009  KQZ kërkon respektimin e afateve ligjore

PS pengoi konstituivin e KZAZ-ve të Tiranës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme me qëllimin e vetëm për t’u bërë thirrje partive politike të respektojnë detyrimet ligjore lidhur me procesin zgjedhor të 28 qershorit. Konkretisht partitë që kanë detyrimin për të propozuar emra për anëtarë të KZAZ-ve kanë shkelur të gjitha afatet për propozimin dhe më pas konstitucionin e tyre, që sot duhej të zhvillonin mbledhjen e parë. Kryetari i KQZ-së Arben Ristani i bëri partitë politike përgjegjëse në bllokimin e procesit zgjedhor. “Kemi të bëjmë me shkelje të ligjit nga forcat politike për afatin e sjelljes së propozimeve, të cilat duhej të ishin sjellë 15 ditë përpara, por ende nuk janë sjellë. Më datën 28 ne kemi pasur detyrim ligjor nën KZAZ-të. Të ndodhur në këto kushte, u bëj apel të gjitha partive politike dhe organizatave partnere të vendit dhe ndërkombëtare, të cilat kanë impakt në zgjedhje, për t’u bërë të ditur në mënyrë të përsëritur shqetësimin e vazhdueshëm që ka pasur KQZ-ja për organizimin e zgjedhjeve brenda standardeve të kërkuara”, - tha Ristani. Ai përmendi mungesën e komisionerëve të Partisë Socialiste për shkak të së cilës u ngritën jo më shumë se tre KZAZ, nga 14 që duhet të ngriheshin. Duke kujtuar proceset integruese nëpër të cilat po kalon vendi ynë, ai u ka kërkuar partitive politike bashkëpunimin e tyre, duke e vënë theksin te përgjegjësia e madhe që ato kanë në mënyrë të drejtpërdrejt për realizimin e një procesi zgjedhor brenda standardeve. “Ne po punojmë që me këto zgjedhje ti hapin rrugën Shqipërisë drejt Evropës dhe ajo që po na ndodh është se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve braktiset dhe lihet vetëm në rrugën e tij drejt realizimit të qëllimit final. Ne nuk mund të realizojmë detyrat tona në rast se partitë politike, që janë komponenti kryesor i këtij procesi, nuk realizojnë detyrimet e tyre ligjore”, - tha Ristani. Në përfundim të mbledhjes KQZ-ja vendosi shtyrjen e datës së konstituimit të KZAZ-ve në rrethe për më 2 prill dhe më 3 prill konstituimin e KZAZ-ve në kryeqytet. Sipas një vendimi të KQZ-së marrë para pak ditësh, mbledhja e parë e KZAZ-ve në të gjithë vendin është parashikuar në datat 1 dhe 2 prill.

Justifikimi i PS-së

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ Genc Gjoncaj i cilësoi vonesat e propozimeve thjesht teknike. Partia më e madhe e opozitës ka qenë partia që i ka depozituar e fundit listat, dhe ato jo në respektim me Kodin Zgjedhor, për sa i takon respektimit të përfaqësimin të grave në masën 30 %. Nga ana e PS-së as ka pasur dhe as do të ketë deri në datën 28 qershor dëshirë për të bojkotuar procesin që ka lidhje me këto zgjedhje. Këtu bëhet fjalë vetëm për çështje teknike të mungesës së kohës, sot për nesër është e pamundur për tiu përgjigjur”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›