PDK, Stani: Duam siguri për leximin e votës
Demokristianët kërkojnë siguri nga partia në pushtet për leximin e votës në zgjedhjet e 2009-s. Sipas sekretarit politik të PDK-së, z. Lazer Stani, konflikti për kodin zgjedhor është krizë edhe e mazhorancës, pasi përjashton edhe LZHK-në dhe forca të tjera të së djathtës. Stani akuzoi se kodi zgjedhor është hartuar me militantizëm nga dy forcat e mëdha dhe është plotësisht antikushtetues. PDK-ja gjykon se tani që Kodi Zgjedhor po rimerret në shqyrtim për t’i bërë ndryshimet e kërkuara nga Presidenti Topi, PD-ja ka rastin të dëshmojë angazhimin dhe përgjegjësinë e saj kushtetuese, si forca kryesore politike e mazhorancës për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Ne përshëndesim deklaratën e Kryeministrit dhe të kryetarit të PD-së. z. Sali Berisha, për përkushtimin e tij total për votën e lirë. Ne vlerësojmë gjithashtu gatishmërinë e tij për dialog midis gjithë forcave politike, si një proces që krijon garanci se kodi i ardhshëm zgjedhor do të jetë transparent, gjithëpërfshirës, çka mundëson zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje më kërkesat e partnerëve tanë ndërkombëtarë”, - tha z. Stani. Por, ndërkaq, PDK shpreh shqetësimin e saj për përpjekjet e PD-së për t’ia faturuar përgjegjësinë për hartimin e kodit elektoral PS-së. Siç kemi deklaruar edhe herë të tjera, - tha Stani, - garantimi i zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të barabarta, është përgjegjësi kushtetuese e mazhorancës dhe jo e opozitës.