PR: Pronat, e vetmja kontradiktë me PD-në
Alibali: Për pronat, mirëkuptim i pjesshëm
“Administrata, jo me militantë partiakë”
Mënyra e zgjidhjes së çështjes së pronësisë është e vetmja kontradiktë e republikanëve të Mediut me demokratët e Berishës. Por kjo nuk e pengon PR-në që të jetë sërish në krah të PD-së në zgjedhjet e reja parlamentare të 2009-s. Këtë e pohoi dje në konferencën rajonale të republikanëve të qarkut të Kukësit, që u mbajt në këtë qytet, nënkryetari i PR-së, Neritan Alibali. Ai njoftoi se edhe në zgjedhjet e vitit 2009, Partia Republikane do të jetë në aleancë me PD-në. Z. Alibali vuri në dukje se "ne jemi forca e dytë e së djathtës dhe synimi i PR-së është lehtësimi i biznesit nga taksat, duke mbajtur peshën që na takon në qeverisje". Por duket se mosmbështetja politike e demokratëve për 25 amendamentet e paraqitura nga PR-ja nuk cenon aleancën e fortë mes dy partive të djathta. Për këtë, Alibali informoi se për disa nga amendamentet e përgatitura nga PR-ja për zgjidhjen e çështjes së pronave, është gjetur mirëkuptimi me PD-në. "E vetmja kontradiktë që na ndan nga PD-ja është problemi i pronave dhe për këtë kemi paraqitur në Parlament 25 amendamente, për një pjesë të të cilave kemi gjetur mirëkuptim", - tha Alibali. Bëhet fjalë për ndryshimin e disa ligjeve të rëndësishme të qeverisë, siç është ai i legalizimeve të zonave informale dhe kompensimi i ish-pronarëve, të cilët me propozimet e PR-së krijuan privilegjin më të madh për ish-pronarët. Me këmbënguljen e PR-së në ligj u sanksionua kompensim pastaj legalizim për ndërtimet e bëra në tokat e ish-pronarëve. Në konferencën rajonale të PR-së të qarkut të Kukësit u kërkua që strukturat shtetërore të mos jenë të mbushura me militantë partiakë, por me specialistë. "Pavarësisht nga mangësitë e vërejtura, është jetike që e djathta të fitojë edhe një mandat të dytë", - tha Alibali. Ai përmendi se në qarkun e Kukësit, PR kontrollon prefekturën dhe ka 27 këshilltarë. Konferenca rajonale e PR-së, që u mbajt në një nga sallat kryesore të pallatit të kulturës "Hasan Prishtina", në qytetin e Kukësit, zgjodhi dhe drejtuesit e fushatës elektorale, me synimin që "të mbetet edhe pas ndryshimeve në kodin elektoral, forcë e dytë politike e së djathtës". Republikanët prej muajsh kanë nisur zgjedhjet e brendshme në parti për drejtuesit e rinj të asambleve kombëtare. Përmes këtyre zgjedhjeve synohet një rivitalizim i strukturave të Partisë Republikane para zgjedhjeve të reja parlamentare të 2009-s, gjithnjë në funksion të një rezultati sa më pozitiv për këtë parti. Ndërkohë pritet që PR-ja të hyjë në zgjedhje në koalicion me PD-në duke synuar të ruajë këtë aleancë, megjithëse akoma nuk ka diçka zyrtare në kampin e djathtë për të formuar një koalicion parazgjedhor. PR pretendon të përfaqësohet denjësisht në këto zgjedhje, duke kërkuar afro 7-8 mandate deputetësh.