E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i dosjeve, padi tjetër në Kushtetuese

Komiteti Shqiptar i Helsinkit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për shfuqizimin e ligjit të dosjeve. Sipas KSHH-së, ligji është antikushtetues dhe cënon rëndë liritë dhe të drejtat e njeriut. 

TIRANE-  Komiteti Shqiptar i Helsinkit dërgon në Gjykatën Kushtetuese ligjin për lustracionin. “KSHH, mbasi u njoh me ligjin nr.10034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të Administratës Publike dhe të të zgjedhurve”, arriti në përfundimin se ai bie ndesh me dispozitat kushtetuese dhe me disa ligje në fuqi. Për rrjedhojë, depozitoi në Gjykatën Kushtuese kërkesën për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të këtij ligji”, thuhet në njoftimin e KSHH-së. “Kemi kërkuar vazhdimisht rehabilitimin, mbështetjen e viktimave të krimeve të komunizmit, dëmshpërblimin dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara ndaj tyre. Por, është e papranueshme që ndarja nga krimet e komunizmit të bëhet duke shkelur në mënyrë flagrante parimet kushtetuese dhe të funksionimit të shtetit të së drejtës, që janë themeli i demokracisë dhe për të cilat kanë ëndërruar, luftuar dhe janë persekutuar shumë individë gjatë regjimit komunist”, - thonë burime të KSHH-së. Por duke vërejtur se ligji shkel shumë parime kushtetuese, institucioni që merret me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, kërkon shfuqizimin e tij. Sipas KSHH-së, ligje të tilla jo vetëm duhet të hartohen me një diskutim të gjerë politik dhe me grupet e interesit, por se në çdo rast asnjë nismë nuk mund të vijë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, që për nga hierarkia janë më lart se një ligj i zakonshëm dhe të cënojë pavarësinë e gjyqësorit.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›