Ligji i dosjeve, parlamentari çek, “llogari” në Gjykatën Kushtetuese
Delegacioni parlamentar çek, i ardhur në Tiranë prej disa ditësh, ka kërkuar një informacion në lidhje me fatin e ligjit të dosjeve në Gjykatën Kushtetuese. Kryetari i Komisionit për Kushtetutën dhe Çështjet Ligjore të Parlamentit çek, Marek Benda, zhvilloi dje një takim me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kriston. Takimi ishte kërkuar nga parlamentari çek si dhe delegacioni që atë e shoqëronte dhe mësohet se mes parlamentarëve çekë dhe kreut të Gjykatës Kushtetuese është diskutuar për ligjin e dosjeve, për të cilin Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë një vendim. Zyrtarisht nga Gjykata Kushtetuese nuk u bë e ditur biseda mes personaliteteve, ndërsa preteksti i takimit ishte diskutimi për shtetin e së drejtës. Gjithsesi, Gjykata Kushtetuese u shpreh zyrtarisht se takimi ishte i kërkuar nga çekët. “Delegacioni u interesua të dinte rreth funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri si parimi i ndarjes së pushteteve, pavarësia e gjyqësorit dhe pozicioni i Gjykatës Kushtetuese”, - ishte reagimi zyrtar i Gjykatës Kushtuese. Mësohet se Benda ka kërkuar të dijë se ku bie ndesh me Kushtetutën ligji aktual i dosjeve, si dhe ka diskutuar mundësinë e amendimit të tij. Parlamentari çek, Marek Benda, gjatë dy ditëve të qëndrimit në Tiranën zyrtare, është takuar me personalitetet më të larta të vendit, si Presidentin Bamir Topi dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Vetëm një ditë më parë, Marek Benda tha se do të mbërrijë në Tiranë një ekspert çek që do të ndihmojë në amendimin e ligjit të dosjeve. Konkretisht, nenet që do të rrëzohen nga Gjykata Kushtetuese, do të riformulohen dhe rimiratohen nga Kuvendi, kësaj here me ndihmën e çekëve. Shqipëria ka huazuar përvojën çeke për lustracionin, ndaj dhe prania e një eksperti çek nuk është e rastësishme. Mazhoranca ka bërë të ditur publikisht se nuk do të ketë kthim prapa dhe se ligji do të zbatohet. Në deklaratën e ditës së mëparshme, kryetari i Komisionit të Ligjeve në Çeki, Marek Benda, tha se ligji i lustracionit duhet të zbatohet si një kusht për të shëruar të kaluarën e errët komuniste. “Është e rëndësishme që të gjitha vendet ish- komuniste të ndahen nga e kaluara. Kur ne miratuam fillimisht ligjin tonë të lustracionit, pati kontestime të forta nga ndërkombëtaret, sepse ata nuk e kuptonin. Ne do të sjellim një ekspert tonin për të zgjidhur problemet tekniko- juridike që ka ligji. Kur të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën, atëherë mund ta vini në zbatim”, - tha parlamentari çek, Benda. Kryetari i Komisionit të Ligjeve të Çekisë u takua dje në mesditë me Presidentin Topi, por sipas njoftimit të Presidencës, nuk bëhet e ditur në rast se mes dy personaliteteve është folur për ligjin e dosjeve. Ligji shqiptar ka si qëllim kontrollimin e figurës së çdo funksionari politik të zgjedhur apo të emëruar, lidhur me pjesëmarrjen e tyre në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës, si dhe strukturat e Sigurimit të Shtetit për periudhën 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990, por zbatimi ende po vonohet për shkak se Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë një vendim final.